Nga Ardit Rada/
Dëmtimi i një xhami makine mund t’i interesojë edhe Presidentin e vendit, madje edhe duke bërë not para vilës së tij në Lalz. Mund të ndodhë, kur makina i takon një analisti që kritikon qeverinë dhe sidomos Edi Ramën. Por ja që, para se të shkruash me duart e lagura nga noti mesazhe në rrjetet sociale për rastin në fjalë, lajmet duhen verifikuar, duhet parë dinamika e tyre, faktet dhe provat.
Dhe mesa duket së fundi Ilir Meta s’e ka fare këtë shqetësim. Policia e Shtetit ka dalë zyrtarisht dhe bashkë me shfryrjen e ”komplotit anti-Lubonja”, ka shfryrë edhe postimin e Presidentit, i cili për gurin në makinën e vëllait të analistit, akuzoi shpejt e shpejt “çunat problematikë”. Duke iu referuar përgjimeve të famshme, me të cilat bashkëshortja dhe “pika e dobët” e Ilir Metës, Doktori, po djegin Shqipërinë.
Nuk ka pasur asnjë tentativë për të cenuar fizikisht Fatos Lubonjën. Mjafton të lexohet njoftimi i policisë, fakti që një i çekuilibruar ka kërcënuar kalimtarët e më pas ka hedhur gurë ndaj makinës së parë që ka gjetur në vendin e banimit – të gjitha këto mjaftojnë të ndërtohet një incident banal, e jo një komplot me ngjyrime politike.
Ilir Meta nuk po le gur pa marrë në dorë, për të gjuajtur qeverinë. Nuk ka faj. Është një president në procedurë shkarkimi, tensioni dhe streset kuptohen. Megjithatë ajo që habit në këto kohë, është sesi e ka ndikuar sjelljen dhe psiqikën e kreut të shtetit, kjo gjendje lufte me maxhorancën dhe ndërkombëtarët.
Një president që poston foto me rrobe banjo, pasi e kemi parë gjithë jetën me kravatë deri në fyt, është një person që nuk është më ai i pari. Vendoseni ju nëse ju pëlqen më shumë Ilir Meta “i zhveshur”, apo ai i dikurshmi.
Ne po mjaftohemi të konstatojmë se presidenti ynë e ka një shtysë të madhe nga pas: hall a lumturi këtë s’e dimë. Por dimë se një gjë e madhe po ndodh këto orë me Ilir Metën.
/JavaNews