Partia Demokratike kundërshton paketën antishpifje të miratuar dy ditë më parë nga Këshilli i Minisrtrave, duke e cilësuar një paketë censure të Edi Ramës kundër medias online.
“Me këtë paketë, Rama kërkon t’i mbyllë gojën çdo mediaje kritike ndaj tij, çdokujt që nuk mendon si ai, çdo gazetari që do të guxojë të publikojë aferat e tij korruptive apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Kjo paketë vendos gjoba të papërballueshme, parashikon mbyllje të portale dhe deningrimin e tyre publik.
Kur të vendoset ndëshkimi i portalit, në vend të lajmeve, aty do të shfaqet fletërrufeja e shkruar nga Rama për të damkosur çdo kritik të tij. Këtë mekanizëm censure, Edi Rama do ta drejtojë nëpërmjet Autoritetit të Medias, të cilin tani e ka vendosur nën kontroll, pas hakmarrjeve dhe shkarkimeve politike të dy anëtarëve të tij”, tha Vokshi.
Ish-kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, tha se kjo paketë është goditje ndaj demokracisë dhe pengon nisjen e negociatave.
Rama po instalon diktaturën në Shqipëri. Pa liri të medias, pa liri të shprehjes, nuk ka demokraci. Pa liri të medias nuk ka hapje të negociatave as në tetor. Këtë paralajmëruan Reporterët pa Kufij në raportin për indeksin e lirisë së medias, ku vunë alarmin se media në Shqipëri është e kërcënuar nga mafia dhe qeveria. Miratimi ne KM të ligjeve të censurës së mediave, duke injoruar rekomandimet e Koalicionit të organizatave te medias, është këmbanë alarmi për lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri”, u shpreh Vokshi.
Paketa e censurës së medias është antikushtetuese, tha Vokshi dhe nëse miratohet nga parlamenti ajo deklaroi se Partia Demokratike angazhohet se do ta anulojë menjëherë atë sapo të marrë besimin për të qeverisur vendin./l.m