Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Bashkia e Librazhdit ka nisur punën.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sëbashku me Kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra inspektuan fillimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare “Vilson Blloshmi” në Librazhd.
Rikonstruksioni i plotë i shkollës po realizohet falë një investimi të përbashkët mes Bashkisë së Librazhdit dhe Qeverisë Shqiptare ku parashikohet rikonstruksioni total i godinës me sistem kapot dhe ngrohje qëndrore dhe po ashtu shtimin e klasave për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Në fjalën e tij, Taulant Balla tha se ky është një investim shumë i madh që përfshin, jo vetëm rikonstruksionin, por edhe rritjen e kapaciteteve të saj akomoduese, përfshirë edhe arenat sportive, palestra apo fusha sportive.
“Dua ta falenderoj Kryeministrin Rama dhe qeverinë për këtë investim. Brenda vitit tjetër edhe shkolla tjetër dhe e fundit e Librazhdit do të rikonstruktohet dhe nuk do të kemi asnjë problematikë për cilësinë e infrastrukturës në shkollat tona.
Ky është qyteti, ndërkohë që disa investime të tjera po bëhen në fshatra dhe shpresojmë që vitin tjetër të kemi një investim për shkollën e Njësisë Administrative Polis për të mbyllur një cikël të plotë të të gjitha shkollave të mesme në Bashkinë Librazhd” tha Balla.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Kastriot Gurra në fjalën e tij theksoi se projekti është mjaft të mirë dhe me të tilla standarde do të procedohet për të gjitha objektet arsimore në Librazhd.
“Gjatë 4 viteve jemi përpjekur që besimin e njerëzve ta justifikojmë me punë. Ndërpremë punët vetëm një muaj për shkak se ligji na detyron dhe sot jemi këtu për të parë investimin e radhës të kryer mes Qeverisë Shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd.
Ky financim synon të rikonstruktojë, por edhe të zgjerojë shkollën “Vilson Blloshmi”. Në projekt parashikohet zgjerimi i shkollës, ndërtimi i palestrës, krijimi i shesheve këtu dhe ambienteve sportive”, deklaroi Gurra.