Partia Demokratike ka denoncuar manipulimin e votave në zgjedhjet e 30 qershorit. Në një dalje për mediat nga selia blu, Ivi Kaso tha se qeveria ka mbushur masivisht kutitë e votimit.
Sipas tij, shqiptarët e refuzuan kryeministrin Rama me mospjesëmarrje në votime.
Deklarata e Ivi Kasos
Edi Rama po kryen një manipulim masiv të rezultatit të votimit të tij monist, ku vetë votoi, vetë numëroi, vetë vulosi.
Siç denoncoi dje Partia Demokratike, për shkak të refuzimit plebishitar nga shqiptarët, kandidatët e tij kanë mbushur kutitë e votimit kudo në Shqipëri.
Në votimet moniste të Edi Ramës dalin më shumë vota në kuti sesa ishte pjesëmarrja zyrtare e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe ky nën kontrollin e Edi Ramës dhe që manipuloi gjatë gjithë ditës pjesëmarrjen e votuesve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kutitë janë mbushur dhe numri i votave është shtuar në mënyrë flagrante në të paktën 6 bashki, ku ka mbaruar numërimi.
Rekordin e mban Ura Vajgurore, ku janë shtuar 1766 vota.
Më pas vjen Vau i Dejës me 1057 vota më shumë në kuti, sesa pjesëmarrja e deklaruar
Bashkia Lushnjë me 843 vota.
Malësia e Madhe me 665.
Bashkia e Bulqizës me 572 vota më shumë
Bashkia e Divjakës me 513 vota më shumë në kuti sesa votues morën pjesë sipas informacionit zyrtar.
Qëllimi i Edi Ramës për të fryrë pjesëmarrjen dhe për të manipuluar rezultatin e votimeve të tij personale, jashtë çdo standardi demokratik është arritja me çdo kusht e votave të vitit 2017.
Manipulimi i trashë që nisi dje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po vazhdon sot në qendrat e numërimit, nuk mund ta mbulojë dot të vërtetën se Edi Rama u refuzua në mënyrë plebishitare nga shqiptarët.
30 Qershori dhe dita pas tij provoi përtej çdo dyshimi se me Edi Ramën Shqipëria nuk ka asnjë shans të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.