Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar pas mbylljes së votimeve që u zhvilluan në vend.
Në një status në rrjetet sociale, Ademi shprehet se populli nuk iu nënshtrua kryeministri Edi Rama dhe këtë gjë e ka treguar duke mos marrë pjesë në votimet e 30 qershorit në të cilat sipas saj opozita nuk ishte pjesë.
Ademi shkruan gjithashtu se kreu i qeverisë Edi Rama u ka bërë presion qytetarëve që të shkojnë në votime por nuk ja dalë dot.
“Të dashur bashkëqytetarë. Kemi kaluar një ditë të vështirë! Përballë një shtetrrethimi, i mbështetur edhe nga struktura kriminale, ia kemi dalë ti trëgojmë regjimit se ne jemi shumica, ne jemi qytetarët e Shkodrës që me shumë qytetari, i dhamë përgjigjen e merituar përmes braktisjes totale”, shkruan Ademi.
Ajo vijon më tej në postimin e saj:
“Sot nuk ishin votime, ky ishte REFERENDUM! Shkodranët, nga Thethi në Velipojë, nga Zogajt në Gurin e Zi, e bojkotuan masivisht diktaturën! Shkodra qëndroi, nuk u nënshtrua, duke i dhënë zemër dhe shpresë gjithë Shqipërisë, ashtu si në vitin 1990. Ky është lajmi i ditës. Rilindja detyroi me anë të presionit qindra persona të votonin por nuk ia doli dot! Pa llogaritur votat e pavlefshme, të cilat janë të shumta si kurrë më parë”.