Nga Mira Kazhani
Mbrëmjet e një gazetari që ka një portal janë në përgjithësi të mërzitshme, sepse duhet të ndjekë debatet e ditës, me qëllim informim/sqarimin e lexuesve.
E mërzitshme është, se shpesh dëgjon të njëjtat skema e personazhe, disa të lodhin kokën, disa thonë argumente me vend, disa nuk e ke idenë se nga mbinë. Mbrëmë pashë Franin, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, në Opinion.
Fillimisht as që u interesova shumë për të, duke u treguar sipërfaqësore dhe pragmatike, siç e kemi ne gazetarët portalistë😜.
Por, Fran Frroku, sa herë i jepej fjala, ishte befasues.
Sa për dijeni, është kryebashkiak i PD-së dhe më vjen keq që një administrator si ai, një burrë me karakterin e tij, do të dorëzojë çelësat e bashkisë, ngaqë partia e Franit nuk merr pjesë në zgjedhje.
Unë, po të isha sot në Lezhë, dhe po të kisha mundësi, përballë Pjerin Ndreut dhe Fran Frrokut do votoja Franin dhe do bëja tifozllik për Franin.
Sepse Frani njihte ligjet, sepse Frani nuk ishte patetik e nuk recitonte vjersha partie, sepse Frani kishte arsye të shëndoshë.
Sigurisht, do ishte aq absurd ky shkrim për një gazetar të huaj apo një qytetar perëndimor, se të jesh normal nuk është kusht për të pasur mbështetje, çdo funksionar publik duhet të jetë i shkëlqyer dhe normaliteti është bazik, por në Shqipërinë ku dëgjon çdo lloj perversiteti nga të gjjtha polet, një Fran të duket gjeni.(Tiranapost)/l.m