Partia Demokratike deklaron se ish-deputeti Bardh Spahia dhe dhjetëra qytetarë në mbarë vendin janë të burgosur politikë të regjimit kriminal të Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, PD i kërkon prokurorisë të urdhërojë lirimin e Spahisë, ndërsa iu kërkon prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos bëhen vegël qorre e regjimit në ikje pasi do të mbajnë përgjegjësi personale.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Bardh Spahia dhe dhjetëra qytetarë në mbarë vendin janë të burgosur politik të regjimit autokratik kriminal të Edi Ramës, që përndjek kundërshtarët politikë dhe dhunon qytetarët.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, prej gati 48 orësh, mbahet i burgosur, pa asnjë fakt që ta implikojë atë në shkelje të ligjit.
Paralajmërojmë prokurorinë të zbatojë ligjin dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të përfaqësuesit të opozitës. Ky është një rast që prokuroria të mos i nënshtrohet urdhrit politik të Edi Ramës. Çdo prokuror apo gjyqtar që, në vend të ligjit, bëhet vegël qorre e regjimit në ikje të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale për shkeljen e ligjit.