Nga Emin Azemi
Shqipëria është futur në një tunel gjysëm të shpuar dhe askush nuk e di se ku do të jetë fundi. Të gjithë flasin për principe, por asnjëri nuk merr përsipër përgjegjësinë nëse gjërat shkojnë keq. Nëse situate del nga kontrolli, qysh tani janë bërë gati justifikmet. “Tjetri i ka fajet!” Dikur fajet i kishte Nano, tash Saliu!
Të gjithë mund të kenë të drejtë, por sa prej politikanëve shqiptarë kanë pasur kurajën të ndalen, të marrin pak frymë, të bëjnë kompromis, të dëgjojnë vërejtjet e tjetrit, madje edhe atëherë kur kanë pasur të drejtë.
Lehtësia për të llogaritur veten të pagabueshëm, ndërkohë që situata në terren flet për shumë hapa të gabueshëm nga të gjitha palët, është përzgjedhur si kurs lëvizjeje që të shpie ndokund, por pa një itinerar të saktë për vendmbërritjen.
Shqipëria aktualisht ndodhet në një tren të çmendur që po lëviz sipas itinerarit të udhëtarëve me adrenaline ekzibicionistësh. Fatkeqësia e kësaj marshute qëndron në faktin se ata që ndodhen jashtë këtij treni ka vite që presin në një stacion të padukshëm. Ata nuk arritën ta krijojnë atë që quhet masë kritike, problem ky tipik socio-politik gati për të gjitha shtet e Lindjes që kishin vuajtur nën sistemin totalitar të autokratëve kokëshkretë. Por, tipologjikisht Shqipëria vazhdon të jetë model flamurtar edhe në këtë drejtim, për dallim prej shteteve tjera, si Polonia, Çekia, Sllovenia etj. tek të cilat masa kritike u tregua më e fortë se cipa e trashë e mendësisë totalitare të ish autokratëve.
Shqipëria aktualisht po sillet si një fëmijë që teket e veta dëshiron t’i paketojë si kauza morale edhe për të tjerët. Krerët e Tiranës ka kohë që po sillen si të ishin udhëheqës province, e jo politikanë që kanë obligime dhe përgjegjësi reflektimi edhe për pjesët tjera të shqiptarëve. Atllarët e Tiranës nuk po e gjejnë dot një mullar të përbashkët për të lidhur tepricën e sjelljeve normale politike. Atyre gjithmonë po iu mungon nga një copë kapistëll për të ngulfatur demonin brenda vetes, por çuditërisht po lidhin shumë nyje në lakun e shtrënguar rreth qafës së hollë të Shqipërisë.
Dekreti i Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, me qëllim “qetësimin e situatës dhe krijimin e mundësive për dialog, që do të normalizonte situatën politike dhe do të krijonte mundësinë për një datë të re të zgjedhjeve vendore, gjithëpërfshirëse dhe demokratike” dhe zelli i mazhorancës për të bërë gati Ligjin për ashpërsim të Kodit Penal për krimet zgjedhore, dedikuar “gjithë personave që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cenuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, e që nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vjet”, janë dy nyjet vrastare që po e ngulfasin sistemin e funksionimit normal të shtetit.
Kjo situatë ka prodhuar një kaos institucional dhe anarki ligjzbatimi dhe për rrjedhojë kemi një përplasje absurde në mes të Presidentit dhe Qeverisë/Kuvendit, në mes të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Derivati i këtij kaosi institucional është paradoksi i dy Shqipërive, njëra që punon ditën për ta futur vendin sa më shpejt në BE dhe tjetra që punon natën për ta bërë pjesë të mjegullave të paqarta gjeopolitike.
Nëse dikur legjenda e Rozafës shërbeu si lajtmotiv baladash, sot Shqipëria nuk ka nevojë të viktimizojë pjesën më të lavdishme të historisë së saj, e cila, megjithatë, është mbi çdo interes i ngushtë partiak e grupor.