Në listën e vendeve që do keni mundësi për të udhëtuar këtë sezon verorë është shtuar edhe Bjellorusia dhe nuk keni nevojë që të pajiseni me viza.
Këshilli i Ministrave ka vendosur heqjen reciproke të vizave. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar mesditën e së mërkurës drejtuar nga zv. kryeministri Erion Braçe.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për viza, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë më herët, po me një VKM shtetasit nga Bjellorusia, por edhe nga vende si Rusia, Arabia Saudite Katari, Omani,Tailanda, Bahrejni u është lejuar që të hyjnë pa vizë në Shqipëri për periudhën 1 prill – 31 tetor 2019 për periudhën e sezonit turistik.