Neritan Ceka ka vendosur të “çdekretojë” mallkimin që i bëri shqiptarëve rreth një javë më parë, kur mallkoi ata që do të votojnë në 30 qershor duke iu thënë “u qorrofshi”, dhe “ju zëntë bukën e kalamajve”.
Në një reagim epik dhe me ironi në emisionin “360 Gradë”, Ceka tha se për shkak të famës së madhe që ka marrë nga rrjetet sociale, ka vendosur të çmallkojë shqiptarët që duan të votojnë.
Por jo të gjithë shqiptarët, Ceka tha se ata që s’kanë parqe, stola dhe vende parkimi në lagjet e tyre, “i çmallkon” për të votuar.
Po ashtu “çmallkon” edhe ata shqiptarë të cilëve “Niçja” u ka marrë listat e votuesve, një referencë ndaj Astrit Avdylajt, i cili doli në përgjimet e prokurorisë duke kërkuar listat e punonjësve të Ujësjellësit në Durrës.
Reagimi i plotë i Cekës:
Dua t’i falenderoj gjithë fejsbuksat për këtë ngritje të papritur të personalitetit tim, që më vunë thuajse në nivelin e Gjushit dhe të Niçes.
Po të lexojnë mirë zotërinjtë kam thënë “Ai që shkel mbi votën, iu qërrofshin sytë”, nuk di çfarë të them.
Por meqë më kanë thënë këtë fuqi të madhe, dekretoj dhe çdekretoj, çmallkoj të gjithë ata, sidomos ato të lagjes time, sekretaret e komitetit qëndror, sidomos njëra më tha me atë që bëre pengove reformën zgjedhore.
Për të gjithë ata që janë të kënaqur që në lagjen tonë nuk ka vend ku të ulesh, nuk ka vend për makinat, i çmallkoj.
Çmallkoj të gjithë ata që e dinë se Niçja e ka marrë listën me fis e stërfis, dhe kanë frikë tani për bukën e kalamajve, i çmallkoj.
I çmallkoj edhe ata që s’kanë bukë për fëmijët.
Por në një korrik ju siguroj që do jetë një ditë tjetër.