Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj thotë se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në emisionin Opinion, ajo tha se data e zgjedhjeve është vendosur me dekret dhe ashtu siç e përcakton dhe Kodi Zgjedhor.
“Kushtetuta i jep presidentit të drejtën për të përcaktuar datën e zgjedhjeve, por jo për të ç’bërë datën e zgjedhjeve. Në rastin konkret (për anulimin e datës së zgjedhjeve) në konstatimin tonë, akti i presidentit është një akt administrativ. Kemi një vendim të 2017 të Gjykatës Kushtetuese, të Forca Rinia që e ka çuar në Gjykatën Administrative. Duhet të vihen në lëvizje organet administrative. Kolegji zgjedhor është një gjykatë”, tha zonja Gjonaj.
Sipas saj ka filluar një procedurë për shkarkimin e presidentit, me këtë rezolutë të votuar këtë të enjte.
“Më pas procedura është shumë e qartë si dhe rregullorja e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese e thotë fjalën e fundit”, tha ministrja e Drejtësisë.
E pyetur se kur formohet Gjykata Kushtetuese, ministrja tha “ne presim që KED është në fazën e fundit të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese. Do jenë tre anëtarët që do zgjedh presidenti. Nëse presidenti nuk zgjedh ka një mekanizëm zhbllokues, ai që është i pari që është zgjedhur më më shumë pikë nga KED do kalojë”.