Pavarësisht zhvillimeve të kësaj jave, kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur për 30 Qershorin duke vijuar fushatën elektorale në Divjakë.
Në fillim të fjalës, Rama tha se nuk ka vend më të përshtatshëm për të festuar 28-vjetorin e PS sesa me Erjon Braçen.
“Erjoni ka krijuar një skuadër model në Divjakë, sikurse në të gjitha njësitë vendore ku Partia Socialiste është prezentë” – tha Rama gjatë takimit ku u prezantua edhe kandidati Fredi Kokoneshi.
Kryeministri tha se një mandate tjetër në këtë bashki është i merituar.
“Natyrisht që do të kishim dëshiruar shumë që këtë fushatë ta kishim pasur garë me kundërshtarët tanë, në një betejë konkurruese, për të parë se kush ka vizionin më bindës. Fatkeqësisht kundërshtarët tanë kanë kapitulluar para se të fillojë ndeshja” – tha Rama.
Ai komentoi edhe një herë ç’dekretimin që Presidenti i ka bërë datës së zgjedhjeve.
“Akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur të gjithë planin dhe na la të kuptojmë se ku fle lepuri. Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës. Firmos dhe ç’firmos.
Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhet, nuk do të kishte më shtet. Por do bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund të pranohet dhe as tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në zyrën e Presidentit të Republikës për aq kohë sa fuqia e popullit sovran është të Parlamenti.
Dhe për sa kohë që Parlamenti ka jo vetëm të drejtën por detyrën që të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet” – tha Rama në Divjakë.