Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla ka pritur sot në Tiranë një delegacion deputetësh nga Gjermania, ndërsa shprehet se një numër i madh deputetësh në Bundestagun gjerman mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në rrjetin social “Facebook”, Balla shkruan se e ka informuar delegacionin gjerman për vendimin e kreut të shtetit për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa e cilëson atë si një akt pa asnjë vlerë juridike. Kreu i grupit socialist ka informuar delegacionin gjerman për ndikimin rus në Shqipëri, ku sipas tij, Partia Demokratike financohet nga disa oligarkë.
Një numër i madh deputetësh në Bundestagun gjerman mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e negociatave të Shqipërisë🇦🇱 me BE🇪🇺 Bashkë me deputetët Ervin Bushati dhe Senida Mesi patëm kënaqësinë të zhvillonim një takim me Delegacionin Gjerman të Grupit Parlamentar për Bashkëpunimin Gjermani-Europë Juglindore, të cilët ndodhen për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Delegacioni i deputetëve të Bundestagut përbëhej nga z. Josip Juratovic, Kryetar i Grupit dhe Anëtar i Bundestag-ut (SPD), znj. Renata Alt, Anëtare e Bundestag-ut dhe Zv/kryetare e Grupit Parlamentar (FDP), z. Hansjörg Müller, Anëtar i Bundestag-ut dhe Anëtar i Grupit Parlamentar (AfD). Gjatë takimit i shpreha falenderimet delegacionit të Bundestagut Gjerman për vizitën në Shqipëri si dhe vleresova rëndësinë e këtij takimi në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me Shqiperine dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndava me kolegët e Bundestagut gjerman faktin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë më intensive dhe pozitive se kurrë. Javën e kaluar isha në Berlin ku u diskutua me kolegët gjermanë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe aspiratën tonë për çeljen e negociatave. Shpreh besimin për mbështetjen e Bunstagut dhe Gjermanisë në këtë proces historik që ndodhet Shqipëria atë të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, z. Josip Juratovic shprehu falenderimet e tij për mikpritjen dhe shprehu qartë qëndrimin kompakt të Bundestagut gjerman në lidhje me ndjenjat e miqësisë dhe mbështetjes së Shqipërisë në aspiratën e saj Europiane. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin e tij mbi situatën e krijuar në vend dhe protestat e dhunshme të cilat po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë./l.m