Pas publikimit të disa fotove nga ish-kryeministri Sali Berisha mbi shpërndarjen e tezave të provimit të maturës të gjuhës angleze ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Sipas MASR ky është vetëm një keqinformim i Partisë Demokratike.
Periudha e maturës shtetërore përballet çdo vit me lajme të rreme për keqadministrim të testit nga ana e MASR tha ministria.
Sipas ministrisë këto dezinformime dalin kryesisht nga anëtarë të PD duke e përshirë edhe këtë proces plotësisht teknik, por të rëndësishëm për nxënësit, në betejën e ulët politike të opozitës.
“Kjo nuk është aspak një gjë e re! Sa më rigoroz është testi dhe administrimi nga ana e MASR, aq edhe më të shpeshta janë dezinformimet e tyre, të cilat i dënojmë fuqishëm!“, bën me dije Ministria.
MASR nënvizon se do të vazhdojë të përmirësojë testin dhe administrimin e procesit deri në digjitalizimin e plotë të tij.
“Ky vit ka ardhur me risi sepse një pjesë e testeve do të vlerësohen për herë të parë elektronikisht duke shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në vitet e kaluara, ndërkohë që janë shtuar edhe penalitetet për ata që do të mundohen të kopjojnë“, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu Ministria falënderoi Policinë e Shtetit për ndihmën e saj në ruajtjen dhe shpërndarjen e testeve dje dhe sot. “Suksese të gjithë maturantëve në vijim për provimet e rradhës!”, mbyll deklaratën Ministria e Arsimit.
g.kosovari