Futbollistë shtatlartë nga mbrojtja në sulm. Lojtarë grintozë e me muskuj si Xhaka, tru dhe qetësi si Migjen Basha. Cilësi dhe klas si Ergys Kaçe.
Ky mund të jetë formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Islandës. Mirëpo, përgatitjet e trajnerit të Kombëtares duket se kanë qenë aq të detajuara, saqë për gjermanët ka bërë habi, shkruan panoramasport.
Prej tri ditësh, Kombëtarja ka punuar në Frankfurt, ku trajneri Reja ka testuar skemën 3-5-2. Teksa italiani ka përzier shpeshherë “kartat”, ka dominuar me të paktën një 11-she që e ka përdorur më shumë se herët e tjera. Dhe, me sa është lënë të kuptohet, në fushë do jetë Shqipëria më ideale e mundshme në letër.
Berisha garanton portën, teksa fiton bindshëm përballë dy portierëve të kampionatit shqiptar me eksperiencën dhe garancinë që ofron. Në mbrojtje, një “mur i lartë” dhe i fortë fizikisht. Njësoj si kundërshtarët. Mihaj, Ismajli dhe Dermaku pritet të bëjnë barrierën para portierit. “Do luaj gjithmonë me dy sulmues. Islanda është e fortë në ajër”, dy fraza të deklaruara nga Reja, për të cilat Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi cilësohen si dyshja perfekte.
Në mesfushë, “tre musketierët” mund të kenë cilësitë ideale të kërkuara nga çdo tifoz apo specialist, duke ditur që Burim Kukeli nuk është në dispozicion… Qetësi dhe saktësi në organizim? Migjen Basha. Klas? Nuk ka të tillë në kombëtare. Ose ka, ajo perlë e kalibruar nga Ergys Kaçe në miqësoren ndaj Francës në “Elbasan Arena”.
Shtatshkurtri ka mjaftueshëm klas në këmbë kur është në formë dhe me sa duket, gjatë këtyre ditëve ka qenë i tillë. Muskuj, agresivitet dhe forcë? Me të madhe thojeni, Taulant Xhaka. Nga krahët pritet që Elseid Hysaj dhe Naser Aliji të bëjnë “ashensorin” nga mbrojtja në sulm. Këto janë çfarë ka provuar më së shumti Reja në Gjermani gjatë punës së tij për përballjen me Islandën.
Në Gjermani, Edi Reja ka bërë gjithçka në funksion të Rejkjavikut. Edhe pse me motin “dështoi”, pasi Frankfurti pati një valë të nxehti gjatë kësaj jave, trajneri ka habitur jo pak stafin e kompleksit, teksa ka kërkuar një bar me gjatësi jo më shumë se 18 milimetra, aq sa edhe në stadiumin ku do luhet ndeshja./l.m