‘Google’ njihet si një kompani që ka guxuar gjithnjë të sjellë risi dhe ndaj konsiderohet si një influencues shumë i madh për modelin që u ofron kompanive të tjera.
Në përpjekje për të diferencuar veten nga kompanitë e tjera, Google ofron lehtësira dhe komoditete të mëdha për punonjësit e tij. Si shembull është kujdesi ndaj fëmijëve të punonjësve, dreka falas, e të tjera.
Por përveç kësaj, risia më e madhe e ‘Google’ është zëvendësimi i punonjësve me kohë të plotë me punonjës të kontraktuar ‘part-time’. ‘Google’ ka rreth 121 mijë punonjës part-time në të gjithë botën, ndërkohë rezulton nga një dokument i brendshëm i publikuar në ‘New York Times’ se ka rreth 102 mijë punonjës me kohë të plotë.
Realiteti është se kompania thjesht po ndjek një trend për të punësuar kontraktorë në vend të punonjësve me kohë të plotë. Artikulli i ‘Times-it’ përfshin gjithashtu një vlerësim nga platforma e personelit ‘OnContracting’, duke thënë se shumica e kompanive të teknologjisë përdorin në masën rreth 40% kontraktorët si punonjësit e tyre. Sipas një sondazhi të ‘NPR’ të realizuar në vitin 2018, kontraktuesit aktualisht përbëjnë rreth 20% të tregut të punës, dhe parashikohet që ato mund të përbëjnë gjysmën e fuqisë punëtore amerikane brenda kësaj dekade.
Një shembull: Joseph Lawlor, bashkë-themelues i ‘Dynasty Digital’, një agjenci marketingu me qendër në Las Vegas, tha se ka punësuar vetëm kontraktues për të punuar në kompaninë e tij në rritje.
Ka disa dallime në mënyrën se si kompanitë punësojnë punëtorë të kontraktuar. Për shembull, Lawlor paguan punonjësit e tij si të pavarur. Në këtë klasifikim, punëtorët janë përgjegjës për detyrimet tatimore të listës së pagave të tyre, pa asnjë përgjegjësi për punëdhënësin për të ofruar përfitime apo edhe për të ofruar siguracione.
Disa punonjës të kontraktuar janë punonjës “të përhershëm” për firmat e personelit që rekrutojnë ato. Nga atje, punonjësit janë caktuar të bëjnë punë për kompani të tjera më të mëdha. Këto agjenci zakonisht e bëjnë fitimin e tyre jashtë kësaj praktike, shpesh duke marrë një pjesë të pagës së punëtorit, duke i ngarkuar punëdhënësit një tarifë të sheshtë. Këto kontrata zakonisht janë të përkohshme (afati kohor i Google për punonjësit e kontratës thuhet se është dy vjet).
E gjithë kjo metodë e re shkurton kostot e kompanive, por me një rrezik të madh. Duke qenë se kontraktuesit janë nga kompani të huaja, ato nuk e ndjejnë veten si pjesë të kompanisë, çka mund të ndikojë në cilësinë e punës së tyre. Megjithatë, kjo pasojë, kur peshohet, është me e vogël se avantazhi më i madh, shkurtimi i kostove për pagat dhe siguracionet e punonjësve. (Tema)