Pothuajse të gjithë aplikantët për viza amerikane do të duhet të paraqesin detajet e mediave të tyre sociale sipas rregullave të miratuara rishtazi. Rregullorja e Departamentit të Shtetit thotë se aplikantet do të duhet të paraqesin emrat e rrjeteve të tyre sociale si dhe adresat e emailit apo numrat e telefonit. Kur u propozua vitin e kaluar, autoritetet vlerësuan se propozimi do të prekte 14.7 milionë njerëz në vit.
Disa aplikantë të vizave diplomatike do të përjashtohen nga masat e reja.
Megjithatë, njerëzit që udhëtojnë në SHBA për të punuar ose për të studiuar do të duhet të dorëzojnë informacionin e tyre.
“Ne jemi vazhdimisht duke punuar për të gjetur mekanizma për të përmirësuar proceset tona të shqyrtimit për të mbrojtur qytetarët amerikanë, duke mbështetur udhëtimin e ligjshëm në Shtetet e Bashkuara”, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit.
Më parë, vetëm aplikantët që kishin nevojë për verifikime shtesë, siç janë personat që kishin qenë në pjesë të botës të kontrolluara nga grupet terroriste, duhet t’i dorëzonin këto të dhëna. Çdokush që gënjen për përdorimin e rrjeteve të tyre sociale mund të përballet me “pasoja serioze të emigracionit”, sipas një zyrtari që foli për gazetën The Hill.
Administrata Trump fillimisht i propozoi rregullat e reja në mars 2018.
Në atë kohë, një grupim i të drejtave civile – tha se “nuk ka dëshmi se një monitorim i tillë i mediave sociale është efektiv apo i drejtë”, dhe tha se kjo do të shkaktonte qe njerëzit te vetëcensuroheshin në internet.