Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, ka bërë një deklaratë të fortë.
Duke folur në një intervistë për gazetën Dita, ai thotë se Azem Hajdari kishte në plan eleminimin fizik të Sali Berishës.
Pjesë nga intervista
– Izeti, por edhe të tjerë, kanë deklaruar se Azemi ishte i padëshirueshëm për Sali Berishën dhe në një mënyrë a në një tjetër, do të eliminohej një ditë. Ju e keni këtë bindje?
– Azem Hajdari ishte Kryetar i Komisionit Nismëtar të Krijimit të PD në dhjetor të vitit 2019. Atij Sali Berisha dhe Ramiz Alia ia vodhën PD-në. Ardhjen e Sali Berishës në PD dhe më pas në krye të saj, Azem Hajdari nuk e ka përtypur dot. Ai ishte i detyruar të heshtte atëherë, duke iu nënshtruar Sali Berishës kur i mori drejtimin e PD, sepse kishte kundër Ramiz Alinë, ish Presidentin e Republikës, i cili e kontrolloi deri në detaje ndërrimin e sistemit, vendosjen e pluripartizmit, krijimin e partive të reja dhe liderët e tyre etj. Azem Hajdari kishte një “difekt” në jetën e tij, të cilën Ramiz Alia ia dinte mirë. Dhe mund t’ia përdorte. Nëse do t’ia përdorte, Azemi automatikisht zhvleftësohej nga të qenurit udhëheqës i PD. Këtë material kundër Azem Hajdarit, ish Presidenti Ramiz Alia ia kishte vënë në dispozicion Sali Berishës për t’a mbajtur në fre Azem Hajdarin. Atë “difekt” të rëndë që kishte Azem Hajdari, e kishte edhe më të rëndë Sali Berisha. Mirëpo dyshja Ramiz Alia dhe Hekuran Isai këtë “defekt” të Berishës e mbanin si fre kali në gojën e tij, duke ia tërhequr, kur ai delte nga skenarët… Kjo ishte arsyeja që Azem Hajdari ishte i detyruar t’i shërbente deri në fund Sali Berishës. Por egua e Azem Hajdarit, sidomos pas rënies së turpshme dhe kriminale të Sali Berishës në vitin 1997, u bë deri sëmundje delirante për të marrë kreun e PD.
– A ju ka treguar Izeti fakte të reja për vrasjen e Azem Hajdarit? Nëse po, kur do të thuhen këto fakte, apo prisni zhvillimin e gjyqit?
– Diçka shumë të rëndësishme po iu them. Azem Hajdari ishte i bindur që me vota në Kuvendin e PD dhe në Këshillin Kombëtar nuk e hante dot kurrë Sali Berishën, sepse ishte i bindur që ai ishte mjeshtër i madh i manipulimit dhe i vjedhjes së vullneteve. Ishte kjo arsyeja që Azem Hajdari kishte përgatitur një plan për eliminimin fizik të Sali Berishës. Azemi, duke qenë mik shumë i mirë me vëllezërit e Izet Haxhisë, duke e provuar karakterin dhe të qenurit të besës dhe trima të tyre sidomos kur e morën përsipër çuarjen e Azemit në Tropojë për të bërë fushatë elektorale në vitin e zi 1997,duke e realizuar atë pa incidentin më të vogël, por mbi të gjitha duke njohur guximin e vet Izetit, duke e njohur mirë karakterin e tij, Azem Hajdari i ka kërkuar Izet Haxhisë t’a kishte bashkëpunëtorë të tij në eliminim e Berishës. Me kohë do të evidentohen shumë takime dhe biseda për këtë çështje, ku janë bërë ato, në prani të kujt, çfarë është pohuar dhe çfarë është kundërshtuar etj etj. Rëndësi ka fakti që Izet Haxhia e ka bërë të qartë pozicionin e tij për këtë çështje. Ai e ka thënë prerë që ishte kategorikisht i larguar prej këtij akti për shkakun e vetëm se ishte në shërbim të Berishës dhe kurrë nuk mund ta hante në besë atë…
– Kjo më duket një akuzë shumë e rëndë dhe e padëgjuar ndonjëherë ndaj një figure të shquar të politikës, ndaj një ish-presidenti dhe ish-kryeministri të vendit. A jeni të bindur për këtë?
– Po, vërtetë është një akuzë e rëndë, por e vërtetë. Të vërtetat janë të hidhura. Ne do t’i themi ato troç në gjyq dhe do t’i provojmë. Por mos harroni se Sali Berisha nuk është më i plotfuqishëm si dikur. Fakti që ai tashmë është bërë si një bishë e tërbuar dhe do që ta fusë sërish vendin në një vëllavrasje dhe të përsërisë vitin 1997, tregon pikërisht fundin e pashmangshëm dhe të turpshëm të tij. Është fundi i pritshëm i një gjakatari dhe një krimineli edhe më të poshtër se Esat Toptani. Ai mund të krahasohet vetëm me Pinoçetin dhe Pol Potin.
– Mos harroni se përballë Izeti nuk ka një njeri sido-kudo, por vetë Sali Berishën. A e di Izeti këtë fakt dhe ju si avokat i tij?
– Po. E kemi shumë mirë parasysh këtë fakt. Prandaj dhe ky proces do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse do të sjellë në sallën e gjyqit dhe do ta ulë në bankën e të akuzuarve njeriun e njëmijë e një të zezave ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj dhe jemi shumë të angazhuar që ky gjyq t’i tregojë publikisht dhe me fakte fytyrën e vërtetë këtij krimineli të pakrahasueshëm me askënd në historinë tonë. Berisha ka qenë dhe ka mbetur një “ujk i vjetër”. Nuk do të ishim realist të mos e pohonim këtë fakt. Ai e ka patur gjithmonë nën kontroll situatën brenda radhëve të veta, brenda familjes së tij… Ai ka qenë prej kohësh pjesë e strukturave të rëndësishme të shërbimit të fshehtë jashtë vendit po e po, por edhe brenda vendit. Për rrjedhojë nuhatjen personale, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij e ka patur, e madje ende e ka të mprehtë. Ai është vënë në dijeni të ambicies së Azem Hajdarit dhe të aventurës së tij për të marrë me çdo çmim kreun e PD. Për rrjedhojë i mori të gjitha masat e duhura…
– Dhe si rrodhën ngjarjet?
– Pikërisht këtë do të tregojë Izeti dhe unë avokati i tij në gjyq. Çfarë masa mori, kë vuri në dijeni, kë afroi dhe kë largoi nga vetja, kujt i kërkoi ndihmë, çfarë skenari përgatiti dhe me ndihmën e kujt, kë vuri në shënjestër për të eleminuar fizikisht, kë politikisht, kë administrativisht etj etj, do të zbardhen sipas situatave që do të rrjedhin natyrshëm në gjykimin e çështjes kundër Izet Haxhisë.
-I akuzuari numër Një për vrasjen e Azemit, sipas Izetit del Sali Berisha. Por, Izeti e ka akuzuar ish-shefin e tij Berisha edhe për një sërë çështje të tjera, ku përfshihen vrasje dhe afera korruptive të rënda. A do të artikulohen këto akuza në gjyqin e radhës?
– Izet Haxhia ka mbi shpinë një akuzë dhe madje një dënim të dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë të rëndë. Ai do të sqaroj me hollësi pozitën e tij në këtë proces, do të bindi Gjykatën e Apelit se është i pafajshëm dhe duhet të lirohet menjëherë nga burgu. Ai do paraqesë prova të rëndësishme të cilat do të ndryshojnë të gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe motivet e krimit. Ai indirekt do të ndihmojë natyrshëm edhe të dënuarit e tjerë në këtë proces, sepse do të dalin të tjera motive në kryerjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Për rrjedhojë me siguri që do të ketë ndryshim të cilësimit juridik të veprave penale për të cilat një numër bashkëpunëtorësh në vrasjen e Azem Hajdarit janë dënuar…
Këto të tjerat që pyesni ju e kanë radhën më pas. Me siguri që një ditë do të zbardhen edhe krimet e tjera të Saliut. Kur Izet Haxhia të lirohet nga akuza që i bëhet, domosdo do të ndjekë rrugën ligjore për të zbardhur të gjitha krimet e rënda që ka bërë Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij ndaj këtij vendi dhe këtij populli. Ai është mbase njeriu më i besueshëm për të vërtetuër krimet e Saliut. Një gjë të tillë Izet Haxhia do ta bëjë me përgjegjësi të plotë, në radhë të parë kur të marrë garancitë e plota për t’u trajtuar si bashkëpunëtor me drejtësinë, sepse po nuk iu dha ky status, ai nuk do të vetëpërgjegjësohet, pasi për arsyet që dihen, diku del të jetë edhe bashkëpunëtor me Berishën… Kjo është krejt normale të ndodhë dhe unë besoj se një ditë do të ndodhë. Më inkurajon për këtë edhe optimizmi qëmë ka shfaqur klienti im Izet Haxhia…