Policia shqiptare dhe ajo kosovare nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Shqipëri për sezonin turistik veror 2019.
Marrëveshja u nënshkrua në Prizren nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, e cila do të rrisë edhe më tej standardet e sigurisë për pushuesit këtë sezon veror.
Ky Memorandum thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet tona.
Punonjësit e Policisë së Kosovës, së bashku me punonjësit e Policisë Rrugore të Policisë së Shtetit, nga 1 korriku deri në 31 gusht 2019, do të kryejnë shërbime të përbashkëta në territorin shqiptar.
Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave funksionale, nuk do të ketë kompetenca policore ekzekutive dhe nuk do të mund të ndërmerren aktivitete, për të cilat është kompetent oficeri i palës pritëse.
Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës do të kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së Kosovës.
/a.r