Në pritje të emrit të trajnerit të ri, te “Juventus” po punohet edhe për merkaton.
Drejtuesit bardhezi, sipas një shkrimi të publikuar të hënën në sitin sportive “Sportmediaset” janë të vëmendshëm në zhvillimet e merkatos dhe së fundmi emri i Iscos, mesfushorit që luan për “Real Madrid” ka marrë kuotë. Kjo për shkak se skuadra madrilene ka lajmëruar mbërritjen e Hazard nga “Chelsea”, çka do të thotë se spanjolli Isco është i tepërt dhe për të pritet një merkato e zjarrtë. Isco në janarin e shkuar, ishte shumë pranë kalimit te “Juventus”, pasi Scolari (ish-trajner i “Real Madrid”) e kishte lënë në marzhet e skuadrës së tij futbollistin, që përmes stafit të tij kishte kërkuar dhe largimin nga “Real Madrid”.
Situata u përmirësua pas mbërritjes së Zinedine Zidane te stoli i madrilenëve, por sërish me mbërritjen e belgut Hazard, qëndrimi i Iscos nuk është më i sigurt. Futbollisti 27-vjeçar, ka një kontratë me madrilenët deri në 30 qershor 2022 dhe kushton 60 milionë euro. Ai u transferua në Madrid në korrik të vitit 2013. Më parë luante për “Malagën”, ku tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve europiane. “Real Madrid” e pagoi Iscon 25 milionë euro asokohe. Këtë sezon mesfushori fantazist ka koleksionuar 27 prezenca në kampionat, duke shënuar vetëm 3 gola dhe duke dhënë 1 asist. Në Ligën e Kampionëve ka luajtur 4 ndeshje duke shënuar 1 gol, ndërsa në Kupën e Mbretit ka luajtur gjithashtu katër ndeshje, duke shënuar 2 herë.
/a.r