Kur Ervis Meçon e caktuan të fundit në listën e deputetëve të Qarkut Vlorë, nën siglën e Partisë Demokratike, e dinte fare mire se shansi që të hynte në Parlament ishte zero.
“Normalisht unë kam qenë pjesë e një formacioni politik që prej 2015 që përfaqëson komunitetin rom dhe egjiptian.
Por është krejt e pamundur që me këtë Kod Elektoral, me këtë monopolizim.
Ata që e ndaloi njeriu, sot, në mënyrë të mrekullueshme e dha Zoti”, thotë Ervis Meço për A2 CNN.
Tashmë, pothuajse 2 vjet nga zgjedhjet ai është i pari deputetët i komunitetit egjiptian në Kuvendin e Shqipërisë.
“Unë thjesht kam dashur të jem një termometër sfide për Parlamentin shqiptar, për të treguar se këta njerëz munden, këta njerëz dinë dhe këta njerëz do t’ia dalin”.
Meço u fut në listat e PD-së si shumë aleatë të tjerë.
Pas pranimit të mandatit, përveç akuzave si i shitur nga eksponentë të lartë të opozitës, u përjashtua dhe nga partia e tij, që mbronin interesat e komunitetit rom dhe egjiptian, Partia për Europianizim dhe Integrim.
“Integrimi i komunitetit rom dhe egjiptian nuk mund të vijë me ndihma ushqimore, nuk mund të vijë me projekte punësi nga 9 muaj.
Këto nuk janë civilizime, emancipime, këto janë mëshirime. Unë kam marrë të gjithë koston për t’u atakuar nga të gjitha grupimet politike dhe ato shoqërore”, thotë ai.
Por historia e 33-vjeçarit, baba i një fëmije, mbart shumë elementë interesante.
Pas zhgënjimit të pritshëm politik në zgjedhjet e 2017-s, Meço aplikoi për azil në Gjermani.
“Qëllimi që unë kam shkuar ka qenë totalisht privat dhe nuk kam pasur asnjë lloj problemi”.
Atje qëndroi për disa kohë deri sa u dënua për regjistrimin e paligjshëm të një zyrtari atje, më 30 ditë burg të konvertuara në gjobë.
“Nuk është një vepër penal, është një kundërvajtje penale, është sikur të shkelësh semaforin”, thotë Meço.
Me dy diploma universitare për Diplomaci dhe Imazheri, Ervis Meço synon të rrëzojë dhe stereotipat ndaj romëve dhe egjiptianëve.
/a.rada