Nga Veton Surroi
Rrëfimi për një aktor, vrasjen e nënës së tij dhe ideologjinë në Serbi
1.
Javën që vdiq aktori Mihajllo Misha Janketiq, presidenti i Serbisë u ftua nga patriarku i Kishës ortodokse serbe, Irinej, që të flasë me kreun e Kishës, të mbledhur në tubimin vjetor të Sinodit të shenjtë të peshkopëve.
Presidenti qe kthyer i dëshpëruar prej Samitit të Berlinit mbajtur ditë më parë. Deklaroi se kishte vdekur ideja e tij për një kufi të ri etnik mes shqiptarëve e serbëve dhe se një ditë, ndonëse jo nga ai, Kosova do të njihet nga Serbia si shtet në kufijtë në të cilët e kishte shpallur Pavarësinë.
Menjëherë pas kthimit iu drejtua dy pikave të forta simbolike të natyrës së pushtetit të tij, Kishës ortodokse serbe që çdo javë bën deklarata apokaliptike për Serbinë e Kosovën dhe Ushtrisë, e cila çdo javë del me një tank të ri a premtim për tank të ri nga Rusia. Këtij rrëfimi i besojnë qytetarët: së paku gjysma e të anketuarve në Serbi frikohet nga një luftë e re.
2.
Aktori Misha Janketiq qe njëri prej aktorëve më të njohur të ish-Jugosllavisë dhe në ish- Jugosllavi do të jetë mbajtur mend për shumë filma e seriale, por më së shumti për njërin serial që me emër e përmbajtje përshkruante paradoksin e tragjedisë së ish-Jugosllavisë.
Kur Milosheviqi tashmë kishte fituar pushtetin në Serbi dhe deklaronte në mitingun e madh afër Prishtinës se “serbët ndoshta nuk dinë të punojnë, por dinë të luftojnë”, në televizionin e Beogradit, mes çmendurisë së mitingjeve dhe propagandës fashiste, emetohej një serial me titull “Një jetë më e mirë” (Bolji život).
Javë pas jave ish-Jugosllavia përgatitej për luftë të përgjakshme të zhbërjes dhe javë pas jave jepej një pasqyrë sharmante e një familjeje të shtresës së mesme që ballafaqohet me një jetë që mund të ketë çdo problem, por jo atë politik të luftës e cila po afrohet.
Seriali u emetua edhe pasi filluan luftërat. Pastaj, kur tashmë qe e qartë se me Republikën e pavarur të Sllovenisë e atë të Kroacisë nuk kishte më Jugosllavi, së bashku me këtë shtet shkoi edhe seriali. Mbeti e shënuar se për shumicën dërrmuese të njerëzve “një jetë më e mirë” mund të jetohej vetëm në serial. E më pas, as në serial.
3.
Më 2005, para katërmbëdhjetë vjetësh, Mbledhja e sinodit të shenjtë të Kishës ortodokse serbe shpalli të shenjtë vrasësin e nënës së Misha Janketiqit.
Nëna e tij, Milena, kishte qenë pjesë e ilegales antifashiste në Plevlë, në Mal të Zi. Ajo punonte në postë dhe prej aty i jepte informata organizatës. Ndonëse ndërroheshin ushtritë – partizanët e italianët, gjermanët e çetnikët – ajo mbetej në postë, me direktivë të organizatës.
Kur hynë gjermanët, me ilegalët filloi të merrej një treshe çetnike në krye me priftin Milorad Vukojiçiq, i quajtur Pop Maca. Ai njohu shoqen e tij të gjimnazit, Milena Janketiq, dhe të gjithë të tjerët për të cilët dinte a dyshonte se ishin antifashistë. Së bashku me dy anëtarë të treshes së tij ekzekutuese mblodhën një dyzinë kundërshtarësh të pushtetit të kombinuar gjerman e çetnik dhe i ekzekutuan.
Vukojiçiqi njihej si “Pop Koljaç” (Prift kasapi), sepse përdorte me mjeshtri thikën. Njihej edhe si “Pop Maca” (Maca shkurt prej Macolës, çekanit të madh), sepse në ekzekutim kishte parapëlqim për të mos shkrepur plumba.
Prej vitit 2005, në Kishën ortodokse serbe Pop Maca njihet si Shën Milorad Vujiçiqi.
4.
E pyetën aktorin për aktin e shenjtërimit të njeriut që e la bonjak (i ati dhe vëllai ishin vrarë si partizanë) e ai tha, me një rezignim moral, se “atë që ka bërë Kisha ortodokse është një akt aq jomoral saqë nuk dua të marr pjesë në tërë këtë çështje as si kundërshtar”. Ky pozicion është aq i moralshëm sa do ta kualifikonte për filozof apo për të shenjtë; dhe të këtillë e të dashur e kanë konsideruar të gjithë që e kanë njohur.
Por, është pozicion i një pakice të vogël.
Pozicioni i shumicës është ai i cili është i ndërtuar në jomoralitet. Është pozicioni i Sinodit të Kishës që nuk mërzitet të mbajë qëndrime për këtë e atë çështje, ndërsa e mban si simbol moral të shenjtërimit Pop Macën.
Dhe, nëse e bën këtë Kisha ortodokse serbe, e vetëkonsideruar si rojë morali të shtetit e popullit serb, si mund të kërkohet të jenë ndryshe institucionet e tjera?
Nëse Kisha ortodokse serbe e mban të shenjtë një kriminel lufte, përse Ushtria e Serbisë të mos e marrë një kriminel të dënuar lufte, si bëri me gjeneralin Vladimir Lazareviq, e të mos e vërë në krye të parakalimit në Ditën e fitores kundër fashizmit?
5.
Rrëfimi i Misha Janketiqit është jashtëzakonisht i vlefshëm për të kuptuar shoqërinë serbe. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes të pranuarit se mund të bëhet i shenjtë vrasësi i nënës së tij dhe mund të bëhen heronj të gjithë ata vrasës të nënave kroate, boshnjake, shqiptare, serbe e rome. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes Pop Macës dhe gjeneral Mladiqit, dhe atyre që vranë një mijë e njëzet e katër fëmijë në luftën e fundit në Kosovë.
Por, rrëfimi i tij është edhe universal. Misha Janketiq është metaforë e tejshprehur për Serbinë, por ngjizet pak a shumë në të gjitha shoqëritë e ish-Jugosllavisë, në të cilat shumicat e heshtura konsideruan luftërat e krimet dhe ideologjitë e urrejtjes aq të jomoralshme sa të mos duan të marrin pjesë në to as duke i kundërshtuar.
Dhe kështu, siç shihet gjithandej, dhe në Kosovë, lejuan që pushteti të ndërtohet mu si padrejtësi e jomoralitet.