Moska shpreson se Parlamenti i ri Europian do të jetë më i butë për rregullat dhe vlerat që bien ndesh me interesat ruse.
Nga Maxim Samorukov
Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian, këtë herë tërhoqën vëmendjen e Rusisë pavarësisht bezdisë së zakonshme të Moskës – për ta thënë troç – me institucionet, mekanizmat dhe sjelljet e rënda të BE.
Gjasat për fuqizim të populistëve vendas, me qasjet e tyre transaksionale të politikës së jashtme, shkojnë mirë me Moskën, e cila po shpreson me kujdes që përbërja e parlamentit të ri të rezultojë në një BE që është më pak strikte rreth rregullave dhe vlerave Europiane dhe më e ndryshueshme ndaj interesave ruse në sektorin energjetik dhe në shtetet fqinje si Ukraina dhe Ballkani Perëndimor.
Mospëlqimi i Rusisë për institucionet e BE nuk është i fshehtë. Kremlini e sheh BE-në si një skemë të SHBA për të dominuar Europën dhe preferon të merret me shtetet Europiane sipas marrëveshjeve dypalëshe, pasi kështu ka pozicion më të fortë negociues dhe mund të përdorë më mirë fuqinë e vet politike.
Kjo vlen para së gjithash për Parlamentin Europian, i cili kombinon të gjitha tiparet që Kremlini sheh si më acaruese në lidhje me politikën europiane: multilateralizmin, theksin e fortë në vlera dhe procedurat e zgjatura me rezultate të pasigurta.
Sergei Naryshkin, ish-drejtues i Dumës Shtetërore – dhoma e ulët e parlamentit rus – dhe një anëtar i rrethit të brendshëm të Presidentit Vladimir Putin, një herë në mënyrë mospërfillëse vuri në dukje se Parlamenti Europian “vështirë se mund të konsiderohet një parlament i vërtetë”, duke iu referuar kompetencave të tij të kufizuara brenda burokracisë së BE.
Megjithatë, zgjedhjet e ardhshme të PE dhe potenciali për fuqizim të partive populiste të BE ka tërhequr vëmendjen e Rusisë shumë më tepër se në vitet e mëparshme, pasi kjo do të ndikojë shumë në pozicionin e BE-së në skenën globale, si dhe në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Ballkan.
Ukraina ende çështja kryesore
Kriza në Ukrainë mbetet çështja më e spikatur në marrëdhëniet e Rusisë me Parlamentin Europian.
Ishte aneksimi i Krimesë i Ukrainës nga Ukraina në mars 2014 që çoi në pezullimin e të gjitha lidhjeve formale me Moskën nga Parlamenti Eiropian dhe puna e Komitetit të Bashkëpunimit Parlamentar BE-Rusi nuk ka rifilluar deri në ditët e sotme.
Parlamenti Europian vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut ndaj rolit të keq të Kremlinit në konfliktin e Ukrainës, edhe nëse deklaratat dhe rezolutat e saj parlamentare rrallë sjellin hapa praktikë që po ndërmerren nga BE.
Parlamenti i ri Europian, me përfaqësimin e tij të pashmangshëm më të fortë populist, ka të ngjarë të ulë mbështetjen e tij për Kievin: populistët e djathtë dhe të majtë kanë shprehur në mënyrë të përsëritur dyshimet rreth Ukrainës.
Të parët janë armiqësor ndaj idesë se BE-ja duhet të bëjë ndonjë angazhim të ri financiar në Europën Lindore, ndërsa populistët e majtë i shohin liderët e revolucionit të Ukrainës pas Maidanit si nacionalistë radikalë dhe pothuajse fashistë. Kombinuar kjo me shtimin e lodhjes së Ukrainës në Perëndim, kjo mund të krijojë një mundësi për Rusinë që të përpiqet të rivendosë disa forma të dialogut me Parlamentin Europian.
Është gjithashtu një rast mundësie nga ana ruse.
Vyacheslav Volodin, kryetari ambicioz i Dumës Shtetërore, po përpiqet me përkushtim të krijojë një rol të vetin në formësimin e politikës së jashtme ruse. Në vitin 2012, si zëvendës-shefi i parë i stafit, Volodin mbikëqyrte kthimin e Putinit në presidencë mes protestave masive dhe për vitet e ardhshme qe përgjegjës për politikën e brendshme.
Që nga kalimi në postin e kryetarit të Dumës në vitin 2016, Volodin ka vazhduar të zgjerojë ndikimin e tij, duke u futur në fushën e politikës së jashtme.
Me procesin vendimmarrës në Rusi gjithnjë e më të shpërndarë, Volodin po ndërton rrjetin e vet të kontakteve ndërkombëtare nëpërmjet diplomacisë ndërparlamentare. Ai ka bërë thirrje për një fillim të ri bashkëpunimi me Parlamentin Europian dhe propozoi krijimin e një grupi informal të punës të anëtarëve të parlamenteve ruse dhe europiane.
Përbërja e re e Parlamentit Europian mund t’i sjellë gjithashtu të mira interesit rus në një tjetër lagje të BE-së: Ballkanin Perëndimor.
Zgjerimi i Ballkanit në pritje?
Partitë populiste kanë pikëpamje të ndryshme për zgjerimin e BE-së në rajon, që variojnë nga mbështetja e fortë në Hungari tek kundërshtimi i ashpër në Francë, por thjesht rritja e rolit të populistëve në institucionet europiane garanton se BE do të zhytet në mosmarrëveshje të brendshme.
Ky është një lajm i mirë për Kremlinin, i cili ka frikë se anëtarësimi në BE do t’i bëjë vendet e Ballkanit të ulin bashkëpunimin e tyre me Rusinë, të vendosin sanksione anti-ruse dhe të forcojnë lidhjet e tyre me NATO-n.
Përveç kësaj, për aq kohë sa procesi i zgjerimit të BE mbetet i mbërthyer në çështjen e Ballkanit Perëndimor, BE nuk do të ketë shumë burime apo shumë oreks për thellimin e integrimit të saj me vendet e Partneritetit Lindor (gjashtë ish-shtetet sovjetike të Ukrainës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bjellorusiasë, Gjeorgjiasë dhe Moldavisë): zona që Rusia i konsideron jetësore për sigurinë e saj.
Parlamenti Europian në largim ishte një kundërshtar i vendosur i projekteve kryesore të energjisë ruse në Europë: tubacioni i gazsjellësit Nord Stream 2 nëpërmjet Detit Baltik dhe tubacionit turk në Ballkan.
Rusia nuk pret domosdoshmërisht që deputetët e rinj të mbështesin këto rrugë të reja të transportit të gazit duke anashkaluar Ukrainën, por me siguri do ta mirëpriste vendimin e Parlamentit Europian për ta kthyer vëmendjen ndaj çështjeve të tjera, duke e lejuar Kremlinit të binte dakord mbi projektet e tubacionit në baza dypalëshe.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për Rrjedhën Turke, një pjesë e së cilës do të kalojë nëpër Bullgari, Serbi dhe Hungari. Rusia është e shqetësuar se këto vende nuk kanë kapacitetin lobues të Gjermanisë, që mbështet Nord Stream 2 dhe mund të refuzojnë shpejt nëse i kërkohet nga BE.
Rusia është shumë e kujdesshme, megjithatë, për sa i përket shpresave të saj për populistët europianë dhe shfaqjen e tyre të fuqishme në zgjedhjet europiane. Kremlini ka parë tashmë populistët pro-rusë që vijnë në pushtet në Greqi, Hungari dhe Itali, por asnjëri prej tyre nuk i vlerësoi lidhjet me Rusinë të mjaftueshme për të vënë veton ndaj sanksioneve anti-ruse.
Politikanët nacionalistë në të gjithë BE-në mund të kënaqen me retorikën pro-ruse dhe pro-Putin, por deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka qenë i gatshëm të veprojë dhe të shkelë solidaritetin europian. Zgjedhjet në Parlamentin Europian relativisht ceremonial nuk kanë gjasa ta ndryshojnë këtë situatë.
Sidoqoftë, një rezultat i suksesshëm për populistët në zgjedhjet europiane mund edhe të dëmtojë Rusinë, ashtu siç ndodhi në SHBA pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Nëse mbështetja për populistët rezulton të jetë e rrezikshme, elita europiane mund të mobilizohet kundër tyre duke spastruar populizmin së bashku me kërcënimin rus.
Kjo megjithatë do të rriste frikën e ndërhyrjes ruse, do të tërheqte Rusinë në politikën e brendshme europiane dhe do të bënte çdo kontakt me to toksik. Gjatë dy viteve të fundit, Kremlini ka përjetuar mjaft vështirësi në marrëdhëniet me Trumpin, gjoja pro-rus, për të kuptuar se duhet të jetë shumë i kujdesshëm në atë që dëshiron.