38 deputetë të opozitës së re i kanë bërë një kërkesë Kuvendit për të ulur në tryezë të gjitha partitë politike për reformimin e sistemit zgjedhor.
Lajmi është bërë i ditur nga Rudina Hajdari.
Nëpërmjet kërkese synohet që ndryshimi i sistemit zgjedhor, i cili sipas planit të punës të miratuar sot, të bëhet brenda korrikut dhe jo në nëntor.
“Shumë të shqetësuar për problemet e rënda që sistemi zgjedhor në tërësinë e tij mbart. Mospërfaqësimi i vërtetë i popullit në organet e zgjedhura, përqëndrimi i pushtetit në një rreth të ngushtë personash, shit-blerja e votës, parti-zimi i procesit zgjedhor (administrimi politik/partiak i zgjedhjeve), barazia reale e votës qytetare, keq-përdorimi i burimeve shtetërore janë ndër problemet më themelore që duhet të adresohen përmes reformës elektorale.
Defiçencat e sistemit zgjedhor janë drejtëpërdrejtë defiçenca për “Demokracinë e Shtetin e së Drejtës”. Eventualisht këto janë pasoja tepër të dëmshme për qytetarët Shqiptarë, organizimin institucional e shoqëror në tërësi.
Nëse Shqipëria vuan nga largimi i popullsisë, mosbesimi i publikut në institucionet publike/shtetërore, gjendja statike e zhvillimit ekonomik…etj, kjo është përveç të tjerash edhe si shkak i problemeve të sistemit zgjedhor aktual.
Grupi Parlamentar Demokrat ka ndër objektivat e tij kryesore: “reformimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri” me synim forcimin e demokracisë, evropianizimin e procesit elektoral (në tërësinë e tij) rritjen e besimit publik në organet e zgjedhura, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve e të demokracisë aktive.
Në këtë drejtim 38 deputetë të opozitës nënshkruan një kërkesë ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe mazhorancës për të mbledhur një tryezë me forcat e ndryshme politike dhe shoqërinë civile për të hapur një diskutim të gjerë publik për reformimin e sistemit zgjedhor.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian prej kohësh kanë vendosur standardet e “mirëqeverisjes dhe qeverisjes së hapur” për të cilat Shqipëria e ka të pamundur të mos kalojë këto procese reformuese në rrugën e evropës, por Demokracia fillon tek vota dhe përfaqësimi, prandaj është detyrë e të gjithëve që në rrugë institucionale të japim kontributin tonë për këtë reformë tepër të rëndësishme”, shkruan Hajdari.