Prokuroria për Krime të Rënda mori në pyetje Fredi Belerin, i cili është vënë nën hetim për akte terroriste.
Pas 25 vitesh nga ngjarja, disa muaj më parë, Prokuroria hapi dosjen, që njihet ndryshe si “Masakra e Peshkëpisë”, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Hetimet po drejtohen nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, dhe gjatë ditës së djeshme, në praninë e tij dhe dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, Beleri është marrë tri orë në pyetje, nga ora 12:00-15:00. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, atij iu komunikua dhe akuza e ngritur, “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.
Në dyert e Prokurorisë, Beleri, në një reagim për median, tha se ishte paraqitur për të pastruar baltosjen që po i bëhej.
Por janë zbardhur detaje të reja nga hetimet për masakrën e Peshkëpisë. Mëson se Alfred Beleri ka mohuar përfshirjen e tij në masakrën e vrasjes së ushtarëve shqiptarë. Beleri është shprehur para hetuesve se ‘nuk kam lidhje, nuk e di përse më keni thirrur për dëshmi’.
ReportTv mëson se Beleri do të rithirret sërish për deklarime javën e ardhshme, ndërsa sot është duke dëshmuar Mihallaq Kokoveshi një tjetër person që ka dijeni për masakrën.
Në listën e personave që do të pyeten janë disa mes tyre shqiptarë dhe grekë. Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të letër-porosive nga Greqia ku ka të dhëna se Beleri është arrestuar menjëherë pas masakrës në kufirin greko-shqiptar.
Por si ndodhi ngjarja
Masakra e Peshkëpisë në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 10 prill 1994. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke iu drejtuar Postës Kufitare të Peshkëpisë, duke vrarë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.
Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi. Anëtarët e këtij grupi terrorist rrëmbyen edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet. Brenda pak minutash, grupimi me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë”, u rikthye serish në territorin grek.
Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë nxituan që t’u jepnin ndihmën e parë Arsen Gjinit e Fatmir Shehut, por ata nuk kishin më shenja jete. Autorët e këtij sulmi të ndodhur 25 vite më parë, pasi kaluan kufiri, qëndruan në një kodër përballë postës që kishin planifikuar të sulmonin, nga ku mund të mbanin nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vendndodhjen e saktë të tyre, ata u vunë në lëvizje.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Himarës.
g.kosovari