Një shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, në vendin e punës. Viktima është një 48 vjeçar, identiteti i së cilit nuk bëhet me dije. Ai po punonte në një kantier ndërtimi në Olgiate Olona në provincën e Varese, kur për fat të keq ra nga çatia, e cila ishte katër metra në lartësi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur afër orës 08.00 të mëngjesit të sotëm. Kolegët e shqiptarit dhanë alarmin, menjëherë sapo ndodhi ngjarja. Pavarësisht se ambulanca arriti me shpejtësi, shqiptari kishte marrë plagë të rënda dhe ndërroi jetë në vend.
Mediat italiane raportojnë se shqiptari ishte babai i dy fëmijëve dhe ishte rezident në Busto Arsizio. Aktualisht rrethanat e ngjarjes nuk janë të qarta, por pritet ekspertiza për të dalë në një përfundim. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët humbin jetën gjatë punës në Itali, pasi incidente të tilla janë shënuar shpesh në shtetin fqinj./ i.h