Për të tretin edicion radhazi, nisi dje Festivali i Resë, “Cloud Fest”, ku për 15 ditë me radhë, 214 artistë nga 18 shtete të botës, do t’i dhurojnë publikut kryeqytetas një performancë ndryshe në muzikë e balet.
Në nisje të festivalit, përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Festivali i Resë ia ka dalë që të bëjë një ndërthurje të asaj që është Tirana sot.
“Janë shumë ata që na kanë dhënë një dorë, rreth 18 organizata, agjenci, ambasada, grupe të ndryshme nga gjithë bota, ndaj jemi munduar që të bëjmë një gërshetë me performanca, e një fije nga ky gërshet janë thesaret si Agim Molla, si sazet, si ahengu i Tiranës, e shumë thesare prej trevave tona. Të dielën kemi performancën nga Japonia, më pas nga shumë shtete të tjera. Prandaj, jemi munduar të bëjmë një ndërthurje të asaj që është Tirana sot. 18 herë, në të 18 gjuhët tuaja, ju falenderoj që keni pranuar të jeni pjesë e këtij gërsheti dhe jam mirënjohës sepse “Reja” u kthye nga një tufë shufrash hekuri, në një institucion”, tha Veliaj.
Instalacioni i Resë është ideuar nga artisti i mirënjohur japonez Sou Fuxhimoto, ku nga vendosja e saj pranë Galerisë së Arteve ia arriti që të shndërrohet në një mjedis kulturor, me aktivitete të shumta për publikun. Veliaj tha se ky instalacion ka krijuar reputacionin e tij kudo në botë dhe ka marrë një dimension edhe më të madh se veprat e arkitektit të njohur japonez.
Përgjatë ditëve dhe netëve të festivalit, artistët më të mirë vendas dhe të huaj do të sjellin tek Reja ndërthurjen më të mirë midis dy ekstremeve të kulturës (artit, muzikës, dancit dhe ndërthurjeve të tyre) të kulturës bashkëkohore.
REJA dhe lulishtja e saj do të jenë hapësirat e teatrit fizik, instalacioneve audio-vizuale, bashkëbisedimeve me artistë, lojërave piknike e after-party, performanca të artit dhe dancit bashkëkohor, muzikë dhe kërcim, paradë me Led, rituale, tambure japoneze, kërcim egjiptian, ëorkshope, leksione spirituale, kërcim TAP dhe Irlandez, performanca letrare, trajnime 8-ditore për artin e performancës, leksione në universitete për menaxhim të karrierës artistike si artist i pavarur.