Nga Ardit Rada
“Nuk është zgjidhje djegia e mandateve nga opozita, duhet të gjeje një mënyrë për të marre pjesë në zgjedhje. Do të ishte fatkeqësi nëse opozita nuk do të merrte pjesë në këtë proces demokratik. Përgjegjësi e opozitës është të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit dhe të ndajë vizionin e saj me mbështëtësit dhe të punoje fort për t’i fituar zgjedhjet”.
Këto fjalë i përkasin zv. ndihmës sekretarit të shtetit Matthew Palmer, gjatë vizitës së tij në Tiranë në 9 prill të këtij viti. Një qëndrim i qartë në lidhje me një krizë të nxehtë që mban peng klimën politike në Shqipëri prej tre muajsh.
Sot u shënua ‘viktima’ e parë e deklaratave të Palmer. Nënkryetari i LSI është politikani i parë shqiptar që citohet nominalisht nga media zyrtare e SHBA “Zëri i Amerikës”, si i përfshirë në listën e personave që u është mohuar viza hyrëse në tokën amerikane. Ky gjest ekstrem vjen në një moment kur shefja politike e zotit Vasili intervistohej nga media në fjalë dhe ku u bë publik ky informacion i bujshëm.
SHBA kanë pasur një qëndrim të qartë mohues për djegien e mandateve nga opozita shqiptare në shkurt të këtij viti. Uashingtoni ka hedhur poshtë gjithashtu edhe përdorimin e dhunës në protestat opozitare gjatë javëve të fundit, duke u bërë thirrje individuale si Lulzim Bashës, ashtu edhe Monika Kryemadhit, që të frenojnë përkrahësit e tyre nga gjestet e dhunshme kundër institucioneve dhe pasurisë publike e private.
Petrit Vasili, siç e tha zonja Kryemadhi, është një “njeri pa probleme”. Kuptohet që ka dashur të thotë se ai nuk ka rekorde negative sa i përket skendinës penale apo lidhjeve të tjera të papërshtatshme. Mbetet atëhere që masa ndëshkimore ndaj tij të jetë marrë si një sinjal politik për atë që Petrit Vasili përfaqëson dhe mbron gjatë aktivitetit të tij publik. Dhe në një rast të tillë, kuptohet lehtësisht përseja e lënies së zotit Vasili te kangjellat e zyrës konsullore amerikane në rrugën e Elbasanit. Janë mandatet dhe molotovi arsyet e këtij refuzimi të bujshëm. Mesazhi është për të tjerët në rradhë. Mbani shënim…