Nga Dritan Hila
Mitingu i djeshëm ishte më i pakuptimti. U vendos kur Seiti ishte brenda, por për fat Seiti tani është gjallë e shëndoshë në spital duke gëzuar momentet e lavdisë së tij.
Mesa duket Basha donte ta përshkallëzonte agresivitetin e mitingjeve të tij, por i pati të gjithë kundër.
Kundër ishin qytetarët e Tiranës, të cilët nuk duan skena dhune në rrugët e qytetit. Dy kazanë plehrash të djegur dhe disa molotov mjaftuan të risjellin në kujtesë ‘97-ën. Nuk ka aleat më të madh të Ramës sesa aktet e dhunës dhe Berisha në mes të turmës.
Kishte kundër një pjesë të establishmentit demokratas, të cilët nuk e miratojnë sulmin fizik ndaj institucioneve ku nesër duan të hyjnë dhe imazhi negativ u prish bizneset.
Dhe mbi të gjitha kishte kundër Ambasadat e akredituara në Tiranë. Jo vetëm atë të SHBA-së dhe Gjermanisë, por edhe përfaqësia italiane, një mirëkuptuese e demokratëve, ishte kundër përshkallëzimit.
Dje Basha ishte për keqardhje. I lagur, në një mot aspak miqësor, i braktisur edhe nga aleatja e tij e cila mesa duket ka filluar të mendojë për veten, me një grusht besnikësh që e shumta mund të djegin një rrugë por nuk ngjallin simpatinë e askujt, mes presionit të Berishës që kërkon radikalizim dhe Ramës që është gati të drejtojë edhe nga Skrapari, por mos dëgjojë fare zërat për dorëheqje.
Këshilltarët mizerabël mesa duket i kanë thënë Bashës të sulmojë edhe përfaqësitë e huaja. Basha në vetvete është natyrë paqësore, por hajvanët që e kanë këshilluar që në ditët më të ulëta të kuatove të tij, të sulmojë pikërisht shpresën e vetme që mund t’i japë dorën dhe nxjerrin nga balta, nuk paskan as nuhatjen e një koneje të sapolindur.
Parrulla dhe demonstrimi para shtëpisë së Boschardt ishte një kërcënim tipik. Nuk lexohet ndryshe në perëndim ky mesazh përveçse “ne ta dimë shtëpinë dhe po e zgjate të gjejmë.” Interpretimet e tjera janë profane.
Reagimi i trupës së akredituar në Tiranë diti ta lexojë mesazhin dhe reagoi. Mbetet që këshilltarët mos t’i japin edhe idenë që të nisë kalamajtë e forumit rinor të PD-së me parulla “Yankee go home” para rezidencës së SHBA-së. Kjo do ta bënte groteske, por njëkohësisht qaste një pamje të vjetërsuar të PD-së.
Është e vërtetë që mungesa e pushtetit të gërryen më shumë se pasja e tij. Por të paktën djemtë e shkolluar jashtë duhet t’u punojë fantazia diçka më shumë sesa skemat e para 20 vjetëve të Berishës me marshimet e përditshme në bulevard dhe sharjet për Mariza Linon.
Në një Tiranë që nuk ka ndërmend të vritet për Doktorin, madje as Kamza përveç të punësuarve të Mziut; në kushtet kur Perëndimi as ia del të kuptojë hapin e ndërmarrë nga opozita, Bashës ose i duhet të ndërrojë strategji, ose ka për të mbetur rrugëve të Tiranës. Dhe për këtë variant Rama ka caktuar si interlokutor Sandër Lleshajn i cili ngjan se ka rezerva të mjaftueshme gazi për biseda të zgjatura me protestuesit.(Dritare.net)