“Çdo thirrje për dhunë është e dënueshme, ashtu sikurse edhe çdo thirrje për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor”, – deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi.
E ftuar në një studio televizive, Hysi tha se “Kodi Penal parashikon penalitete për këdo që bllokon rrugët, dhunon institucionet, apo bën thirrje kundër rendit kushtetues, siç është rasti i kreut të opozitës, Lulzim Basha, që tha se nuk do lejohet të zhvillohen zgjedhjet”.
“Zgjedhjet në 30 qershor nuk i ka caktuar as kryeministri, as shumica, por data e zgjedhjeve është vendosur nga Presidenti i Republikës në përputhje me Kushtetutën. Zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor është respektim dhe detyrim kushtetues. Për 4 vite me radhë, në 61 bashki kemi kryetarë bashkish që janë votuar dhe janë provuar. Tani është shansi që t’i jepet mandati 4-vjeçar të zgjedhurve të rinj”, – tha Hysi.
Ajo theksoi se “sot është afati i fundit që partitë politike duhet të dorëzojnë listat pranë KQZ-së”.
Është detyrim ligjor pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, tha Hysi, duke shtuar se “ne do të respektojmë në mënyrë të përpiktë rregullat dhe procedurat ligjore dhe kushtetuese”.
Ndërkohë, Hysi deklaroi se “i gjithë manifestimi dhe dhuna që ka ardhur zinxhir dhe në rritje nga ana e opozitës, e cila vendosi të djegë mandatet dhe të kalojë në rrugë, është e dënueshme dhe i bën dëm të gjithë shqiptarëve”.
Askush nuk ka të drejtën të dëmtojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, tha Hysi, duke shtuar se “të gjitha këto thirrje dëmtojnë ekonominë e gjithë shqiptarëve dhe investimet e huaja”.
“Ky është një dëm që i bëhet gjithë shqiptarëve, nga një pjesë e dhunshme e njerëzve që janë në protesta. Janë një pjesë njerëzish të dhunshëm që drejtohen nga liderët e partive të opozitës dhe shkelin çdo rregull”, – tha Hysi.
Ajo i konsideroi shfaqje të shëmtuara dhune, ato që ndodhën të shtunën nga një pjesë njerëzish huliganë dhe të dhunshëm.
“Është kriminale, sepse asnjë lider nuk mund të mbajë fjalime ndërkohë që pak metra më lart hidheshin bomba artizanale. Shqipëria nuk e meriton këtë alternativë qeverisëse. Opozita i ka treguar shqiptarëve se nuk ka alternativë qeverisëse. Në një sistem demokratik, padyshim ka alternime, asnjë forcë politike nuk është e përjetshme, por ky model i të bërit opozitë është modeli më i shëmtuar dhe nuk jep shpresë fare për mbështetësit e opozitës”, – tha Hysi.
E pyetur nëse mund të shkohet drejt dialogut mes palëve, Hysi tha se “kërkesa për dialog është thënë që në fillim, është theksuar dhe ritheksuar, por kur themi të dialogojmë nuk duhet vënë kushti ‘dialogojmë me mazhorancën, pa kryeministrin’”.
Ajo theksoi se zgjedhjet e 2017 u certifikuan si të ligjshme nga ndërkombëtarët dhe nga opozita e sotme, e cila i mori mandatet dhe i ushtroi për 1 vit e gjysmë. “Ky është një model joefektiv dhe i padobishëm për një demokraci. Nëse kjo do të tolerohet, i bie që të mos kemi kurrë zgjedhje, sepse gjithmonë një forcë politike mund të bëjë këtë lojë të shëmtuar që ka bërë opozita”, – tha Hysi.
Duke folur për Reformën në Drejtësi, Hysi theksoi se “brenda muajit qershor do të kemi në funksion të plotë Gjykatën Kushtetuese”. “KLP ka përmbyllur një pjesë të rëndësishme të fazave për Prokurorin e Përgjithshëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të plotësuar vakancat në Gjykatën e Lartë, pra të gjitha këto institucione janë në ngritje e sipër”, – tha Hysi, duke nënvizuar frikën e opozitës nga Reforma në Drejtësi.
/a.rada