Vetëm një orë para nisjes së protestës së opozitës, ambasadat më të rëndësishme në vend kanë reaguar ashpër mbi dhunën e 11 Majit.
Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme tha se kishte informacion mbi përdorimin e bombave molotov edhe sot. Informacion ky që sëbashku me ngjarjet e së shtunës mesa duket ka shqetësuar edhe trupat diplomatike në vendin tonë.
Ka qenë Ambasada e SHBA-ve e para që përmes një deklarate publike u ka personalisht kërkuar Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit jo vetëm të dënojnë dhunën e mbështetësve të tyre, por edhe të bashkëpunojnë me hetimet.
“Dhuna e 11 Majit çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike” – deklaron Uashingtoni ndër të tjera.
Ndërkohë që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar kërkon dialog mes palëve politike. Britanikët përveçse dënojnë dhunën, u kërkojnë drejtuesve të opozitës që të garantojnë qetësinë publike.
“Ne dënojmë me gjithë zemër intimidimin e ambasadorit të OSBE-së dhe dëmet e shkaktuara në rezidencën e tij zyrtare. Nuk ka vend për veprime të tillë në një demokraci moderne” – thonë britanikët në një deklaratë.
Ambasada gjermane shprehet e shqetësuar për 11 Majin. Ajo shkruan se veçanërisht i shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar.
“U bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave” – shkruan ambasada gjermane
Për ambasadën italiane udhëheqësit e opozitës duhet ta dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të brenda kornizave ligjore.
Më herët edhe dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan bënë thirrje për vetëpërmbajtje. Përmes një letre ata thanë se protestat si ajo e 11 Majit krijojnë idenë e gabuar se Shqipëria nuk është gati për Bashkimin Evropian.
/javanews/a.rada