Voltana Ademi, Xhelal Mziu dhe Fiqiri Ismaili. Tre emra, tre mistere për t’u zgjidhur. Janë tre kryebashkiakët më të fuqishëm të opozitës që duhet të ndajnë mendjen për të ardhmen e tyre brenda kësaj fundjave: të braktisin zyrat, për t’ia lënë një pasardhësi socialist në 30 qershor, duke iu bindur urdhërit të partisë, apo të kandidojnë të vetëm, duke krijuar kushtet që të kenë dhe një shans për katër vitet e ardhshme?!
Këtë fundjavë përfundojnë nga ana procedurale, shanset për t’u kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit. Një datë që, ashtu si në vitin 2017, e gjen opozitën në rrugë e jo në përgatitjet për zgjedhje. Por votimet lokale kanë provuar se nuk i binden gjithmonë formateve politike të Tiranës. Deri tani PD dhe LSI ia kanë dalë të mbajnë nën trysni bashkitë më të forta, duke penguar që krerët e tyre lokalë të dalin hapur kundër linjës së bojkotit të zgjedhjeve. Informacione nga Shkodra, Kamza dhe Vora, ku qeverisin tre zyrtarët e mësipërm, tregojnë për dilema të thella të Ademit, Mziut dhe Ismailit, në lidhje me atë që duhet të bëjnë në këto kushte.
Nëse opozita humbet Shkodrën, Vorën dhe Kamzën, pa llogaritur bashkitë e tjera më pak të rëndësishme që sot i ka, ky do të ishte fundi i pushtetit vendor të opozitës në shumë zona të Shqipërisë. Dhe rënia e këtij pushteti do ta bënte më të vështirë edhe fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, pasi dihet se pushteti lokal ndihmon pak në marrjen e mandateve parlamentare në momente zgjedhjesh të përgjithshme.
Çfarë do të bëjnë sot Voltana Ademi, Xhelal Mziu dhe Fiqiri Ismaili?
Duhen dhe pak orë që ky mister të zgjidhet, por e sigurt është se nuk ka për të qenë një zgjedhje e lehtë. Jo më kot Lulzim Basha vërtitet prej ditësh në bashkitë në fjalë, me qëllim që të mbajë sa të mundet nën kontroll një situatë, e cila, nëse do t’i dilte nga kontrolli, do të sillte një goditje fatale politike për të dhe gjithë opozitën./Javanews/
Ardit Rada