As në ëndrrat më të mirat, tifozët e Partizanit nuk e kishin menduar se mund të fitonin titullin kampion në derbin kundër Tiranës. Futbolli të sjell emocione të bukura dhe gjithçka mund të kthehet në realitet. Derbi i kryeqytetit mund të vendosë fatet e “Demave të kuq”, që me një fitore ngrejnë trofeun lart, ndërsa Tirana me një triumf mund të mbijetojnë në Superiore.
Luhet gjithçka për gjithçka dhe tifozët e kuq mund të përjetojnë emocione të papërshkrueshme, prandaj dhe biletat kanë avulluar. Klubi i kuq ka komunikuar se biletat e derbit janë shituar thuajse të gjitha prandaj personat që duan t’i sigurojnë duhet të nxitojnë për t’i blerë.
Njoftimi i Partizanit –“Klubi njofton se vijon të ketë një interesim mjaft të madh për takimin Partizani – Tirana, në program ditën e diel, ora 16:30, i vlefshëm për javën e 33-të Kategorisë Superiore.
Në sektorët e Tribunave B1, B2 dhe E biletat kanë mbaruar, ndërkohë që drejt fundit janë edhe sektorët D1 dhe F.
Shitja e biletave po vijon me ritme jashtë parashikimeve duke treguar interesimin e madh nga tifozeria e kuqe për këtë përballje.
Kujtojmë se biletat mund t’i siguroni në pikën e shitjes pranë stadiumit “Selman Stërmasi” çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 19:00″, – shkruan klubi i kuq.
/telesport