Duke gjykuar mbi tendencat aktuale të zhvillimit dhe balancën e faktorëve mbështetës, Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva ekonomike afatmesme është pozitive. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë rritjen e mëtejshme të punësimit, shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe rritjen më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit, ka deklaruar dje guvernatori i BSH Gent Sejko.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, aktiviteti ekonomik u zgjerua me 3.1% në tremujorin e katërt të vitit 2018, duke shënuar ngadalësim në krahasim me tremujorët paraardhës. Rritja ekonomike e vitit 2018 shënoi vlerën 4.1%. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të ndjekë një kurs konsolidues, të shprehur në vlera pozitive të balancës buxhetore, duke dhënë një kontribut të ulët në rritjen e ekonomisë, u shpreh ai.
Sipas guvernatority, portofoli i kredisë bankare për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 6% në tremujorin e parë të vitit. Kjo ecuri vazhdon të mbështetet nga zgjerimi i kredisë në lekë, e cila zë rreth 48% të kredisë në total. Paralelisht me të, zhvillimet e muajve të fundit tregojnë një ecuri më të balancuar të portofolit të kredisë, me kontribut në rritje si nga individët, ashtu dhe nga bizneset.
Në vlerësimin tonë, konsolidimi në proces i sektorit bankar, reduktimi i vazhdueshëm i rrezikut të kredisë dhe rritja e pritur e kërkesës për të, krijojnë premisa për rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen. Megjithatë, materializimi i këtij projeksioni kërkon një përqasje më aktive të bankave ndaj kredidhënies.
Nisur nga këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës e Bankës së Shqipërisë ka vlerësuar në mbledhjen e djeshme se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm. Në këtë mbledhje, ai vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1%.
/a.meta