Nga Altin Ketro/
Skenës së politikës shqiptare iu shtua në fund të prillit edhe një parti e re politike e quajtur Bindja Demokratike. Ajo lindi si një zgjatim i PD-së përderisa baza themeluese e saj janë personazhe të njohur të PD-së. Nisur nga fakti që disa syresh ishin të përjashtuar nga forumet dhe disa të tjerëve nuk iu dëgjohej më fjala, ky grupim njerëzish ndërmorën iniciativën për të themeluar një parti të re.
Motivet e krijimit të Bindjes Demokratike më ngjajnë si një shartim midis LSI-së së Metës dhe Libra-s së Blushit. Nuk është se jam shumë partizan i nxitjes së individëve të veçantë për të dalë kundër ish-partisë së tyre, por mirëkuptoj gjithkënd që ndjehet i përjashtuar dhe nuk sheh më perspektivë për të qenë pjesë e asaj partie ku ka milituar më parë.
Pa dashur të bëjë diversion politik, pasi e neverit faktin kur partive të reja që dalin nga partitë e vjetra u duhet dhënë mbështetje thjesht se ke antipati ndaj partisë prej ku ata kanë qenë më parë, nuk mund të rri pa bërë nja dy komente edhe për këtë parti të re.
Meqenëse jemi përpara faktit të kryer ku ajo tashmë ekziston, nuk mund ta anashkalojmë e të bëjmë sikur s’e shohim. Duhet thënë se kjo parti, ose më saktë, grupi themelues, gjeti momentin më oportun për të hyrë në jetën politike.
Deri në momentin kur opinioni publik ende nuk kishte dëgjuar asnjë artikulim prej Partisë Demokratike se ajo nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet vendore, as ne të tjerët nuk dinim që do kishte një nismë për të themeluar Bindjen Demokratike. Lënia e hapësirës bosh në fushën e zgjedhjeve elektorale vendore prej PD-së, ishte një moment i shkëlqyer që jo vetëm Bindja, por edhe parti të tjera ta shfrytëzonin këtë moment për t’u faktorizuar.
Në ndryshim nga zgjedhjet parlamentare, ato vendore janë më të shkëlqyerat për të nxjerr në pah fuqinë politike të një partie. Aty, çdo parti pjesëmarrëse mund të shfrytëzojë në maksimum emrin e mirë në shoqëri të kandidatëve për kryetar bashkie a këshilltarë bashkiakë dhe nëpërmjet tyre të rrisin fuqinë elektorale duke marrë mjaftueshëm vota aq sa për t’u konsideruar dikush-i në politikë. Zgjedhjet vendore janë një minierë ari për partitë e ashtuquajtura të vogla, sepse vetëm këtu ato marrin maksimumin e tyre. Dhe Bindja u tregua e zgjuar duke hyrë në zgjedhje, për të mos e humbur këtë shans.
Ndonëse na ndajnë vetëm dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe Bindjes do i duhet shumë punë për t’u njohur në kaq pak kohë anembanë Shqipërisë, mungesa e PD-së padyshim që i jep avantazh sepse populli opozitar e kërkon vetvetiu një parti për ta shprehur votën kundër mazhorancës.
Pavarësisht se Bindja Demokratike nuk ka ende një kryetar zyrtar, ajo është identifikuar me zotin Patozi. Ai vjen nga fusha e gazetarisë, ka qenë për shumë vite nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar të asaj partie. Nga pikëpamja e burokracisë partiake ai ka eksperiencë të mjaftueshme. Por, ndonëse ish-partia e tij ka qenë shumë vite në pushtet, ai nuk ka mbajtur asnjë post ekzekutiv. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e saj.
E mira është se ai nuk është bërë pis personalisht me gjithë problematikat që kanë shoqëruar qeverisjen e demokratëve, ndonëse duke qenë se ka pasur funksione të larta politike, moralisht trashëgon edhe mëkatet e të tjerëve. Ana e “keqe” është se, pavarësisht fuqisë politike që kishte, por duke mos pasur asnjëherë post ekzekutiv në qeveri, ai nuk është provuar si drejtues apo menaxher i zoti i fondeve publike dhe burimeve njerëzore. Një shans i humbur që edhe në keqqeverisjen e Berishës kishe mundësinë që të bëje diferencën duke shpalosur aftësi lidershipi e cila do e ndihmonte shumë në të ardhmen.
Gjithsesi, pavarësisht këtyre, ai e të tjerë i kanë hyrë një rruge të re për të kërkuar besimin e elektoratit të djathtë shqiptar. E kam dëgjuar këto kohë në disa intervista televizive apo qëndrime në mediet sociale dhe më është dukur shumë i kompleksuar. Më duket shumë i keqardhur dhe me kokën pas nga PD-ja. Kur ke brenga të tilla, ose duhet të presësh deri sa lideri i PD-së të pësojë disfatën e radhës (2021) e të japë dorëheqjen sipas statutit, duke u dhënë mundësinë kështu gjithë të larguarve prej tij që të rikthehen në shtëpinë e vjetër; ose meqë e hodhët hapin e guximshëm për të krijuar një parti të re, atëherë shumëzoje me zero ish-partinë e vjetër.
Një parti krijohet për të konkurruar në zgjedhje dhe për të fituar aq vota sa i jep elektorati. Nuk ka kuptim, por as logjikë politike të thuash që Bindja Demokratike nuk do nxjerrë kandidatë në zgjedhje në zonat ku mund të kandidojnë kryetarët bashkiakë aktual të PD-së. Akoma më keq, kur gabimin politik e trash kur thua që nuk do nxjerr kandidatë as në zonat ku kandidojnë kandidatë të pavarur. Po ç’punë ke ti se kush kandidon, nga PD-ja apo i pavarur! Ti ke identitetin tënd politik dhe këtë identitet duhet ta materializosh me vota kudo, në të 61 bashkitë.
Ç’është ky frustrim politik që më shumë i jep kredenciale një të pavaruri sesa një kandidati që del nga sigla jote?! Ke hall se mos përçahet vota dhe fiton kandidati i PS-së?! Po nëse ky kandidati i PS-së fiton ndaj atij të pavarurit, ti, si BD, çfarë fitove në këtë mes?!
Jo zoti Patozi, nuk krijohet një parti politike me mentalitet vetëdiskriminues ndaj partisë tënde. Ju mund të hyni në aleanca politike me parti të tjera, ku diku i lë ti zonë të lirë asaj dhe diku të lë ajo ty zonë të lirë. Këto janë koalicione politike shumë normale në demokraci, ndonëse kur është fjala për parti ambicioze që hyjnë për herë të parë në zgjedhje, personalisht jam i parimit për të garuar të vetme sepse kështu kanë mundësinë për të matur forcat se sa vlejnë.
Por, të penalizosh partinë tënde, duke mos nxjerrë një kandidat me potenciale të atilla që do e faktorizonte partinë, vetëm sepse nuk do që t’i prishën punë një të pavaruri dhe, kësisoj, të pavarurin e konsideron më të rëndësishëm se kandidatin e partisë tënde, mesazhi që përçon tek elektorati është shumë i gabuar e aspak premtues.
Ju dhe të tjerët i hytë detit në këmbë dhe duhet t’i dilni për zot kësaj pune. Por, ama, duke u ballafaquar me të gjitha palët: PS, PD, e të pavarur, pa asnjë lloj kompleksi inferioriteti prej akuzave si të shitur tek njëri apo tek tjetri. Lojërat me dy porta, duke u dhënë mbështetje politike edhe kandidatëve demokratë të diskredituar gjatë 4 viteve, jo që s’ju ndihmon, por përkundrazi, humb çdo shpresë e motivim tek elektorati se ju do sillni diçka ndryshe në politikën shqiptare. Sa jeni ende në kohë reflektoni, përndryshe jeni lodhur kot në këtë rrugëtim politik pa krye.