Frika nga hakmarrja ka bërë qe disa familje të fisit Bushi në Kurbin të ngujohen menjëherë pas vrasjes së dyfishtë të dielën e kaluar.
Ata u janë nënshtruar rregullave zakonore deri kur palët të vendosin paqe midis tyre.
Një foto çoi në vrasje dy të rinj dhe në pranga tre të tjerë. Por pas kësaj, fisi Bushi në Kurbin është ngujuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për familjet e Markel dhe Manuel Bushit, të Vinçens Bushit, por edhe kushërinjve të tyre të afërt.
Pavarësisht se tre të dyshuarit për vrasjen e Erjon dhe Kelvin Jushit janë në pranga, burrat dhe gratë e dy palëve i janë nënshtruar zakoneve të tyre pas ngjarjes. Fillimisht sa u përhap lajmi u mbyllën brenda afro 20 shtëpi.
Por më pas sipas zakonit, të ngujuar qëndrojnë vetëm familjet e autorëve dhe ata më të ngushtët në rreth familjar nga rrënjët e babait.
Kurse fisi nga nëna ndihmon në zgjidhjen e problemeve. Për këtë arsye ishte daja, ai që negocioi me shefin e komisariatit te Kurbinit, ç’ka u pasua me vetëdorëzimin në polici të tre djemve Bushi.
ABC News ka mësuar se mes familjeve Bushi dhe Jushi akoma nuk është futur ndonjë pajtor, apo siç mund të quhet ndryshe njeriu që bën bisedimet për kushtet e një situate, ku familjet ndodhen në hasmëri me njëra-tjetrën.
Të shtunën në Laç, gjykata do të caktojë dhe masën e sigurisë për të arrestuarit, të cilët kanë thënë se e gjitha ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, por nuk donin të vrisnin kushërinjtë Jushi.
Deri tani supozohet se një foto në rrjetet sociale nxiti fillimisht dhunën fizike dhe më pas shkrehjen e armëve natën e 28 Prillit, ku Erjon dhe Kelvin Jushi mbetën të vrarë.
g.kosovari