Nga Preç Zogaj
Nuk është çështja, sepse shumica dërrmuese e shqiptarëve kudo ku ndodhen janë pro amerikanë prej mirënjohjes, prej vlerave që përfaqëson demokracia amerikane në botë, prej rëndësisë jetike që ka për sigurinë dhe të ardhmen e shteteve tona në këtë pjesë të Europës miqësia e ngushtë dhe partneriteti strategjik me SHBA. Nga ky partneritet kemi përfituar e përfitojmë shumë më tepër sesa mund të kthejmë. Këtë e themi për të nderuar të vërtetën. Uashingtoni nuk na e ka bërë ndonjëherë këtë llogari. Të jenë këtu si shtëpinë e tyre, të punojmë së bashku, t’u përgjigjemi në modestinë tonë operacioneve dhe nismave ndërkombëtare të paqes, të votojmë me arsye në favor të qëndrimeve dhe nismave amerikane në organizatat ndërkombëtare ku bëjmë pjesë, kjo është më e shumta që mund të bëjmë për SHBA-në. Gjë që përkon sa me traditën, sa me interesat tona kombëtare për sot dhe për nesër. Lidhjet e ngushta me SHBA-në janë një dimension i veçantë i dinjitetit të Shqipërisë dhe Kosovës në raport me fqinjët dhe vendet e tjera të botës. Të themi edhe tjetrën, që në dallim nga aleancat ideologjike përgjatë komunizmit, që u ishin imponuar qytetarëve në funksion të mbajtjes së pushtetit totalitar nga Enver Hoxha dhe regjimit të tij, aleanca me SHBA-në është para së gjithash zgjedhje e zemrës dhe mendjes së lirë të shqiptarëve. Ajo e përjashton jesmenizmin. Sepse jesmenizmi nuk vlen ndaj një fuqie që ekziston si e tillë prej konkurrencës së lirë, prej qarkullimit të vazhdueshëm të elitave drejtuese dhe ka si busull vlerat e lirisë. Por duke përjashtuar jesmenizmin, kjo aleancë e përmban si buka brumin respektin, mirënjohjen, bashkëpunimin e hapur e të sinqertë. Të gjitha këto, përveçse njerëzore, politike e diplomatike, janë edhe elektorale. Marrëdhëniet e partive shqiptare me SHBA-në dhe të SHBA-së me partitë shqiptare janë përcaktuese për mbështetjen popullore të këtyre partive.
Dhe kjo shpjegon faktin që jo vetëm qytetarët, por edhe partitë në Shqipëri janë që të gjitha proamerikane dhe properëndimore në orientim dhe në përcaktimet statuore. PD-ja i ka prirë që prej fillimit këtij kursi, duke qenë partia që e ka artikuluar e shërbyer e para euroatlantizmin në Shqipëri. Partia Socialiste dhe partitë e tjera të majta kanë përshtatur e mbajtur këtë kurs qysh në vitet e para të demokracisë dhe në vazhdimësi.
***
Mund të vazhdojmë ta mbushim me elemente të tjera panoramën rozë të marrëdhënieve dhe ndjeshmërive shqiptaro-amerikane. Por duhet të themi se këtyre marrëdhënieve nuk u ka munguar e nuk u mungon ngjyra gri në rrafshin e qëndrimeve dhe sjelljeve të mbajtura herë pas here nga elitat politike të Tiranës ndaj politikave të caktuara dhe vlerave që promovon demokracia amerikane. Nuk është vendi këtu për të bërë një bilanc të shembujve gri, të shtrirë në kohë që nga vitet e para të demokracisë e deri sot. Ajo që ia vlen të nënvizohet është kjo: përveçse të jetë, apo para se të jetë deklarativ apo edhe një orientim, proamerikanizmi është të përqafosh dhe të zbatosh vlerat themelore të demokracisë, të ndash qëndrimet me aleatin strategjik, jo verbërisht, por përmes diskutimit të hapur dhe duke konsideruar me arsye interesin publik shqiptar që si rregull nuk është cenuar kurrë, përkundrazi, vetëm është shërbyer nga politika amerikane.
Në pikën e përqafimit të vlerave dhe ndarjes së qëndrimeve gjejmë nga koha në kohë në Tiranë shfaqje të një antiamerikanizmi aktesh, të paartikuluar me fjalë, që mua më duhet më shqetësues se po të shpjegohej e mbrohej me fjalë, pasi tregon se bëhet nga pozicione, interesa apo kushtëzime të pandashme me partnerin strategjik. Për të mos shkuar larg mund të marrim dy shembuj të ndryshëm të viteve e kohëve të fundit. Një syresh ka të bëjë me PPP-të e qeverisë së zotit Rama si tregues emblematikë të klientelizmit dhe korrupsionit të lartë në kushtet e suprimimit de fakto të ndarjes demokratike të pushteteve dhe sundimit të ligjit. Kjo është arsyeja që SHBA-ja i ka goditur këto skema, sikurse ka bërë opozita dhe shtypi kritik në vend. Duhet të themi se kjo kundërvënie e fuqishme ka dhënë rezultate. Disa PPP, ku dallon ajo e ndërtimit të autostradës Thumanë – Kashar, janë anuluar. Të tjera duhet të anulohen. Ligji që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar për llogari të ngritjes së disa kullave është lënë pezull dhe shihet se do të mbetet i tillë minimalisht deri me plotësimin e Gjykatës Kushtetuese për të vijuar pastaj me anulimin eventual të vetë ligjit nga kjo gjykatë; projekti i unazës së re ka ngecur përballë kundërshtimit të banorëve dhe opozitës që kërkojnë hartimin e një projekti të ri me kosto normale. Opozita ka arsye të njohë një sukses të saj në këto zhvillime pozitive të pjesshme, pa u nisur nga mendimi se po ta bëjë këtë zvogëlon të keqen e qeverisë që është tërhequr apo ndalur. Për të mos u larguar nga tema, duhet të thuhet se kudo ku ka tundime dhe veprime që injorojnë sundimin e ligjit dhe ndarjen demokratike të pushteteve, SHBA-ja do të jetë përballë, do të jetë kundërshtare.
Shembulli tjetër ka të bëjë me raportet e SHBA-së me opozitën shqiptare në këtë periudhë. Qëndrimet e SHBA-së kundër djegies së mandateve nga opozita ishin bërë të qarta nga Departamenti i Shtetit që në krye të herës. Drejtori për Euroazinë, zoti Palmer, i qartësoi në mënyrë më të plotë gjatë vizitës së tij në Tiranë para pak ditësh. Në tërësinë e tyre këto qëndrime nuk kanë lënë ende ndonjë shteg hapur që opozita të mund të thotë se ka njëfarë mirëkuptimi nga Uashingtoni për atë që po bën e kërkon.
Pse? U takon pikësëpari drejtuesve të Opozitës së Bashkuar, zotit Basha dhe zonjës Kryemadhi, të kenë një përgjigje, të cilën duhet ta ndajnë me transparencë me qytetarët. Është e vërtetë që SHBA-ja dhe BE-ja punojnë para së gjithash me qeveritë dhe janë të matura kur është fjala për të ndërhyrë në mosmarrëveshjet e brendshme. Por ne kemi plot shembuj në historinë e demokracisë sonë që tregojnë se SHBA-ja kanë punuar njëlloj, në ekuidistancë, me qeverinë dhe opozitën. Madje kemi shembuj kur qeveria amerikane ka dënuar hapur manipulimin e zgjedhjeve të organizuara nga qeveria shqiptare. Ndërkaq është një standard që analizat kritike në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit i drejtohen kryesisht qeverisë. Nuk ka ndodhur që SHBA-ja të bëhet palë apriori në konfliktet shqiptare. Qëndrimet amerikane janë mbështetur në parime dhe në real politikën konkrete. Kështu edhe kësaj radhe. Mungesa e mbështetjes amerikane dhe europiane për opozitën mund të shpjegohet me faktin se drejtuesit e saj nuk kanë arritur t’i bindin partnerët se djegia e mandateve apo pamundësimi i zgjedhjeve janë reagime proporcionale me faktorët që i kanë shkaktuar. Kjo është një hipotezë.
Nuk ka asnjë arsye që administrata e presidentit Trump dhe institucionet e shumta të demokracisë në SHBA të mos jenë të ndjeshme ndaj zgjedhjeve dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Partitë opozitare të Shqipërisë kanë paguar lobistë në SHBA për këto çështje. Për çfarë kanë vlejtur këto para nëse opozita nuk gjen mbështetje dhe ndërmjetësim për të diskutuar shtruar dhe hapur në SHBA, si me mikun e ngushtë, hallin e saj?
Shqipëria ka shumë probleme që duhet t’i zgjidhë vetë me mekanizmat e demokracisë dhe shtetit ligjor. Një problem madhor, të cilin kanë dështuar ta zgjidhin zgjedhjet dhe alterimi i partive kryesore në pushtet, po na e zgjidhin amerikanët në bashkëpunim me europianët dhe me faktorët vendas: ndëshkimin me ligj të korrupsionit, krimit dhe keqbërjes në sferat e larta, pastrimin e politikës me procese të rregullta ligjore. Po të pyeten shqiptarët sot a jeni për pastrimin e politikës nga politika apo nga drejtësia e re me mbështetje amerikane dhe europiane, nuk ka dyshim se shumica do të përgjigjeshin në favor të së dytës. Praktikisht, kundërvënia ndaj SHBA-së dhe BE-së për çështjen e drejtësisë së re është sot doktrina e establishmentit të përzishëm në Shqipëri. Dhe këtu është rasti për të sqaruar sërish se në këtë periudhë Shqipëria ka një drejtësi tranzitore që nganjëherë shfaqet edhe më e keqe se e vjetra, ndërkohë që drejtësia e re është akoma në kantier dhe pret ngritjen institucioneve të fundit për t’u nisur. Praktikisht, dita e parë e drejtësisë së re do të jetë dita kur prokurorët e SPAK-ut të paraqesin në aulën e gjykatës speciale padinë e parë penale. Dhe kjo pritet të ndodhë nga fillimi i vjeshtës kur të jetë ringritur ndërkohë edhe Gjykata Kushtetuese. SHBA-ja i prin që prej fillimit kësaj stuhie. Sikurse euroatlantizmit në ekspansion në rajonin tonë. Ata janë shumë aktivë dhe po punojnë ngushtë me partnerët e tyre në Greqi, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, e tjerë. Në Shqipëri po mbajnë një premtimin solemn dhënë popullit shqiptar për ngritjen e drejtësisë së re dhe po investojnë për një vend lider në rajon.
Me SHBA-në apo kundër saj, kjo nuk është çështja. Një fitore nga pozitat e konfrontimit me aleatin strategjik nuk i duhet askujt prej nesh edhe po të na binte në duar si me magji.
Shkrim i pa vlerë. Ky zotëria ha bukën e kaurrit e bën duanë e turkut. Gjithë jetën kështu. KAMELEON