Francezja Florianë dhe gjermani Johan humbën partnerët e tyre në një atentat. U njohën, u dashuruan, u martuan dhe kanë një vajzë.
Mbrëmjen e 13 nëntorit 2015, mes qindrave spektatorëve të grupit Eagles of Death Metal në Paris, ishin dhe Floriane Bernaudat dhe gjermani Johannes Baus.
Të dy ishin me shokët e tyre, të dy i humbën aty, atë natë: i fejuari i saj dhe gruaja e tij janë ndër 90 viktimat e atentatit të Bataclan.
Sot Floriana e Johani janë martuar dhe kanë një vajzë: historia e tyre ka prekur shkrimtarët e gjithë botës, thuhet në një reportazh të Radio Canada.
Floriana, e cila u intervistua nga radioja në fjalë të nesërmen e atentatit, tregoi se kishte mbetur e fshehur për orë të tëra në gërmadhat e teatrit pa e ditur se ku gjendej Renaud, i fejuari i saj. Vdekja e tij (që e mori vesh të nesërmen prej të atit) qe një tronditje e vërtetë:
“Njiheshim që kur ishim 16 vjeç, u rritëm bashkë dhe së shpejti do të martoheshim: tre javë para atentatit kisha provuar fustanin tim të nusërisë”. Për të qe “fundi i botës”, në të gjitha kuptimet: pas atentatit lëvizi, ndryshoi punë dhe për ca kohë shmangu turmat dhe transportin publik. Ca prej frikës, ca prej të qenit në zi.
Pastaj u përpoq të rifillonte. Kërkoi mbështetje në një shoqatë që merrej me viktimat e atentatit dhe njohu shumë të tilla, ndër to dhe Johanin. Ai e kontaktoi pasi kishte lexuat një postim në Facebook, në të cilin ajo fliste për jetën e saj pas atentatit.
“Kur e lexova, mendova: Ok, edhe ajo është në një situatë të ngjashme me timen. Dhe i shkrova”, tregon ai. Edhe ai atë mbrëmje ishte në Bataklan, edhe ai ia doli të fshihej pas një banaku në bar. Edhe ai të nesërmen zbuloi se Maud gruaja e tij ishte vrarë.
Floriana dhe Johani u njohën kështu: duke ndarë kujtimin e asaj nate dhe zinë për njerëzit e tyre të dashur. Pak nga pak marrëdhënia e tyre u shndërrua. Nuk dinë si ta shpjegojnë, dinë vetëm që në njëfarë mënyre “u gjetën”. “Sikur të ishim duke çuar përpara atë që kishim nisur me Renaud-in dhe Maud-in.
Një njëfarë mënyre sikur vazhdojmë të jetojmë për ta”, shpjegon Floriana. Çifti është martuar para dy vjetësh, kanë një vajzë dhe jetojnë në një apartament në periferi të Parisit.
Vajzën e kanë quajtur Berenis (Bérénice). Emri i saj do të thotë “që bart fitoren”. “Për ne është një fitore për jetën, mbi atë që jetuam. Një mënyrë për të vazhduar me sytë nga e ardhmja”, vazhdojnë ata.
Në këtë histori mallëngjyese, histori kurajoje ka vetëm një detaj që nuk shkon, thekson Radio Canada. Kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga atentati dhe dëmshpërblimet e parashikuara për viktimat e sulmit terrorist por personazhet tona parapëlqejnë të mos flasin për këtë, edhe pse qartazi janë të shqetësuar dhe kjo situatë u duket e padrejtë.
Corriere della Sera, përgatiti Erina Çoku