Në vijim të krehjes së zonës për gjetjen dhe arrestimin e personave që qëlluan me armë zjarri në ajër, në afërsi të fshatit Luarëz të Njësisë Administrative Velipojë, shërbimet policore të Shkodrës zhvilluan edhe operacionin e koduar “Luarëz”.
Në bazë të këtij operacioni, u rrethua një perimetër i gjerë dhe u kontrolluan disa banesa, ndërsa në shtëpinë e pabanuar të shtetasit G.S. u gjetën dhe sekuestruan një granatë-hedhës, silenciator, radio policie, rreth 700 fishekë luftarakë, disa krehër me fishekë kallashnikovi, dy telefona dhe një targë motoçiklete.
Pas veprimeve të para procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. S. 50 vjeç, për veprën penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Grupi Hetimor ka fiksuar prova të vlefshme në këtë banesë, që do t’i shërbejnë hetimit edhe për ngjarje të ndodhura më parë. Vijon operacioni dhe krehja e zonës për kapjen e autorëve. Paraditen e sotme, në fshatin Luarëz të Velipojës, persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në ajër, duke kaluar në rrugën kryesore.
/a.meta