Nga Ben Andoni
Nuk mjaftoi këshilla miqësore e presidentit Moisiu për kolegun e tij më të ri Ilir Meta, që ta bindë ti ulë partitë në tryezën e bisedimeve. Duhej sërish faktori ndërkombëtar. Me shumë vonesë, por i diktuar edhe nga afrimi i datave për mbarimin e afateve zgjedhore, Presidenti Meta po e përqas në formën më të pamundshme debatin. Kjo, sepse partitë, që ai ka thirrur në bisedime as nuk përbëjnë faktor por edhe nuk mund ta ndryshojnë formatin e krizës, që e kemi prezent në çdo zgjedhje. Mbi të gjitha elektorati i tyre është kaq i parëndësi sa nuk përbën dot faktor që të ndikojë te liderat, ashtu si për fat të keq nuk mund të ndryshojë dot vendimet e Ramës, Bashës, Kryemadhit, pjesa tjetër e elektoratit më potent.
Pse është kaq e vështirë të bëhen zgjedhje të pakontestueshme tek ne? Përgjigjen e dinë të gjithë, madje edhe Maxhoranca që bën sikur nuk ka ndodhur as edhe një gjë, por edhe diçka më shumë Opozita e përfaqësuar nga PD dhe LSI, që kanë futur duart njësoj në thesin e madh të votave të zgjedhjeve. E fundit dihet: Ai që fiton nuk sjell kurrë frymë të re. Ai sjell militantët që e kanë mbështetur dhe shumë vende pune që paguhen dyfish do të paguhen trefish në të ardhmen, në kurriz të gjithë shqiptarëve.
Sido që të ndodhë, PD dhe PS në fund kanë treguar se e zgjidhin problemin e tyre në kurriz të të tjerëve. Për ata që e kanë kujtesën e shkurtër, duhet të kujtojnë sesi u nxorën më 17-Maj 2017 jashtë përfaqësuesit e tyre nga i pari deri te i fundit për të mbaruar kokë-në-kokë marrëveshjen Rama-Basha, fakt që duhet t’i bëjë të kujtojnë realisht sesa vlejnë.
Ndaj, në këtë rast, problemi më i madh nga formacionet politike qëndron te LSI. Nuk është se qëndrimet e saj i kanë harruar te PD-ja kur i dha mundësinë e pushtetit Edi Ramës, ashtu si PS-ja nuk do t’ia falë hë për hë atë regjistër të ashpër dhe ofendimet e shumta Monika Kryemadhit në vitet e fundit. Pasoja do të bjerë mbi militantët e saj që prej vitesh po mundohen të lexojnë shpresën në sloganet kinse demokratike dhe që pasojat e treguan me firon te listat.
Sa për Edi Ramën duket se po shkruan kapitujt e fundit të drejtimit të tij. Në të gjithë këtë karrierë jo të pakët, duke eklipsuar krejtësisht Fatos Nanon, ai mundi ta nxjerrë Partinë Socialiste fituese në dy zgjedhje, por nuk ia kurseu vendit konfliktin civil, që shumë njerëz presin ta çojnë drejt kasaphanës. Për kureshtje ka shumë e shumë njerëz që pyesin thjeshtë: Po çfarë do bëhet?! Dhe kujtimi i ’97, përshkallëzimi i situatës tregon se në vendin tonë pulson ende i fortë ai damari i tmerrit dhe i shkatërrimit, që në këto kushte është i pamundur prej stadit të ri të Shqipërisë.
Duke u kthyer në argumentin tonë: LSI e mori goditjen e parë në këto javë nga vetë anëtarët e saj që nuk iu bindën autoritetit të listave. Por LSI po merr goditjen më të madhe nga mungesa e perspektivës së saj, që nuk lidhet thjesht më as me kalkulimet e Lulzim Bashës dhe as me ikjen e Edi Ramës. LSI ka nevojë të rifreskohet dhe të mos ndjekë si me letër kopjative planin e lodhshëm të Bashës. Lideri i Opozitës përveç Berishës mund të sakrifikojë këdo për pak pushtet, kurse LSI mbetet gjithnjë në rreshtin e dytë, atje ku i kihet nevoja vetëm kur ashpërsohet lufta. Për fat të keq, Kryemadhi luftën e Bashës po mundohet ta tregojë si luftë të vetën, gjë e cila nuk ka asnjë sens.
Edi Rama do të iki, më e shumta pas dy viteve, por PS, LSI dhe PD do pjellin kriza të reja, pasi nuk gjenerojnë ide por thjesht ambicie në kurriz të vendit. Dhe, kur kjo është e shfrenuar të bën të humbasësh në xhunglën e jetës politike shqiptare.
Ilir Meta në mbledhjen e të martës duhet të mendojë mbi të gjitha për pjekjen e tre formacioneve kryesore, ato që i japin jetë zhvillimeve të vendit. Por, edhe të ruajë partinë e tij për të ardhmen, pasi me sa duket i takon të kthehet sërish në të njëjtin vend. Dhe, për këtë nuk i duhet këshilla e plakut Moisi, që nuk u strehua kurrë me ndonjë parti politike, por hë-për-hë arsyeja për të bindur palët se jemi në kohë demokracie. (Javanews)