Lefter Maliqi, deputet i opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë nga listat e Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për situatën në burgje.
Maliqi para se të pranonte mandatin e deputetit ka qenë zv/ drejtor i përgjithshëm i Burgjeve prej 2017, ndërsa pas betimit në Kuvend tashmë kërkon llogari për testimet e policisë së burgjeve, prokurimet, korrupsionin, konfliktin e interesit dhe problemet e tjera në sistemin penitenciar, shkruan Shqiptarja.com
Lefter Maliqi nuk ka pranuar që të bëhet pjesë e asnjërit prej dy grupeve parlamentare nga opozita e re duke qenë i pavarur. Kjo është interpelanca e dytë që opozita e re kërkon, pasi në seancën e djeshme ishte Sandër Lleshaj që dha shpjegime para Ralf Gjonit dhe Myslim Murrizit për grabitjen në Rinas.
Në vitin 2017 ai ishte në listat e PD si kandidat në Berat, por jo në listën fituese. Për këtë arsye, ai u largua nga PD duke kaluar me PS. Si shpërblim për rezultatin e arritur në zgjedhjet vendore në Berat shumica e emëroi zv. Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve. Por pas djegies së mandateve nga opozita e vjetër, i erdhi radha në listë dhe ai pranoi që të merrte mandatin.
/a.rada