Teksa kanë kaluar dhjetë ditë nga supergrabitja në aeroportin e Rinasit dhe nuk ka asnjë të arrestuar, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kërkon angazhim maksimal.
Paraditen e sotme ai ka thirrur në Ministri në një takim, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Mësohet se në takim marrin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetti, Ardi Veliu, drejtor i policisë kriminale, Tonin Vocaj dhe drejtori i Policisë Kufitare, Eduart Merkaj.
Po ashtu pjesë e takimit janë bërë edhe disa drejtorë të policisë së rretheve.
Mësohet se në këtë takim do të analizohen materialet e siguruara në vijim të hetimeve lidhur me të dyshuarin.
Ndërkohë gjatë interpelancës në seancën parlamentare të ditës së djeshme, me deputetët e “opozitës së re”, ministri e cilësoi si një ngjarje të rëndë që ka marrë vëmendjen e veçantë të policisë.
Ministri i Brendshëm tha se ngjarja është pasojë e një serie dështimesh e disa hallkave që janë përgjegjëse për sigurinë në aeroport.
Operatori privat i ngarkuar për sigurinë e aeroportit tha Lleshaj, e ka njoftuar policinë pas 5 minutave e 21 sekonda më vonë, ndërkohë që policia kishte mësuar për ngjarjen në rrugë të treta, ndërsa Tirana International Airport e ka njoftuar Aviacionin Civil Shqiptar, 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
“Policia nuk është lejuar të futet brenda pistës pas sinjalizimit për ngjarjen, pasi porta nuk është hapur nga kompania që ka përsipër sigurinë e aeroportit”, deklaroi ministri.
Zona e aeroportit me ligj, tha ai, është zonë përgjegjësi e koncesionarit, por se jashtë rrethimit të saj është përgjegjësi e Policisë së Shtetit, ashtu si çdo pjesë tjetër e vendit. Çështja e sigurisë në aeroportin e Rinasit sipas ministrit, në vitin 2018 është bërë objekt i diskutimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Ai cilësoi si problematike portat e rrethimit të jashtëm dhe se rrethimi është pa sensorë, ashtu sikundër sipas tij kamerat nuk janë të mjaftueshme.
Lleshaj tha se janë marrë masa për forcimin e patrullimit si brenda dhe jashtë aeroportit dhe se policia ka marrë sigurinë e aeroportit, edhe në zonën brenda kamerave dhe se pjesa e jashtme është vënë nën ruajtjen e Forcave të Armatosura.
Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me katër persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ata hasën në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, me te cilët pati një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve, Admir Murataj, mbeti i vrarë me një plumb në kokë.
/a.rada