Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur, pasi një avion i vogël u rrëzua mbi një helikopter që ishte parkuar në një pistë në aeroportin e vetëm që gjendet në afërsi të Malit Everest në Nepal.
Incidenti ndodhi në momentin kur avioni po përgatitej të nisej nga Lukla për në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu, tha zyrtari i aviacionit Raj Kumar CHhetri.
Ai tha se avioni doli nga pista dhe goditi helikopterin që ishte i parkuar.
Në mesin e të vdekurve është piloti i avionit dhe dy zyrtarë policorë, të cilët gjendeshin në afërsi të helikopterit të parkuar.
Si avioni, ashtu edhe helikopteri i përkisnin kompanive private të fluturimeve, që kryesisht transportojnë turistët në pjesët më të largëta të Nepalit.
Autoritetet kanë njoftuar se të plagosurit janë transportuar për në Katmandu.
Aeroporti ku ndodhi ky aksident, që është 2,845 metra mbi nivelin e detit, shpesh është konsideruar si një ndër aeroportet më të rrezikshme në botë, për shkak të pistave të shkurtra dhe vështirësisë për të arritur në to. Ky aeroport është i hapur vetëm për helikopterë dhe avionë të vegjël.
g.kosovari