Kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla tha se ka marrë supermbështetje nga vendet anëtare të BE për çeljen e negociatave gjatë vizitës së tij në Austri.
Ai tha se vendimmarrja e qershorit nuk varet nga ajo që do bëjë Shqipëria por nga gjendja brenda vendeve të BE. Nuk mungoi dhe një akuzë për kreun e PD Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.
“Sot diskutojmë se ç’është bërë gjatë 2018 për aspiratën më të rëndësishme e historike të shqiptarëve, atë të anëtarësimit në BE. Me të drejtë kryeministri iu tha shqiptarëve sot se vendimmarrja e qershorit nuk varet më se çfarë do bëjë Shqipëria deri në qershor por së pari nga kontekstet brenda çdo vendi të BE dhe pas 26 majit kur përfundojnë zgjedhjet europiane edhe në kontekstin e ri që do krijohet brenda PE. Ne sot jemi shumë krenarë që brenda PE, kur u votua rezoluta për Shqipërinë që bënte thirrje për hapjen e negociatave kemi marrë 459 vota pro hapjes. Bashkë me kryetarin e Kuvendit vijmë nga takimi i kryetarëve të parlamenteve të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Ju them vendet anëtare, parlamentet e tyre pavarësisht përpjekjeve të baltës së kryetarëve të partive tuaja, baltaxhiu Lulzim dhe baltaxhija Monikë ne përsëri kemi sot një supermbështetje të vendeve anëtare. Kush merr guximin këtu të flasë në emër të Francës përpara se të flasë”, tha Balla.
g.kosovari