Nga 1 prilli i këtij viti hyri në fuqi udhëzimi “Mbi zbatimin e sistemit bonus-malus në sigurimin e mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta”, duke ngjallur shumë interes, pasi në Shqipëri janë më shumë se 450 mijë drejtues mjetesh që preken nga këto ndryshime.
Në një intervistë , kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare shpjegon përfitimet e sistemit të ri dhe detyrimin e 8 shoqërive të sigurimit për ta zbatuar sistemin me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, pasi në rast të kundërt do t’iu hiqet licenca nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Kreu i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare shpjegon se sistemi i ri parashikon se ata drejtues makinash që gjatë 1 viti kryejnë aksidente, do të paguajnë dyfishin e çmimit të siguracionit. Sipas tij, të favorizuar do të jenë ata drejtues që nuk kryejnë aksidente, pasi çmimi i siguracionit do të ulet 50 për qind.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar udhëzimin “Mbi zbatimin e sistemit bonus-malus në sigurimin MTPL e brendshme”.Cilat janë efektet e pritshme për të siguruarit?
Miratimi i udhëzimit i hap rrugën krijimit të bazës së të dhënave për dëmet që kryejnë drejtuesit e mjeteve motorike, përfshirë autoveturat, mikrobusët, autobusët, etj., në mënyrë që të mundësohet klasifikimi i tyre me klasën përkatëse për primin bruto që do të paguajnë për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta në transportin rrugor. Udhëzimi i paraprin miratimit të ndryshimeve të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili është në fazën e diskutimeve me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe në vazhdim me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit. Sistemi bonus-malus është mekanizmi i tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve/eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit.
Ne presim që sistemi i ri bonosmalus të sjellë rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve, pra, ata që shkaktojnë aksidente duhet të paguajnë një prim deri 2 herë më të lartë dhe çmime të ulura deri në 50 % të primit të riskut për drejtuesit e mjeteve që nuk kanë shkaktuar aksidente gjatë viteve të fundit.
Zbatimi i sistemit bonos-malus vjen me shumë përfitime për të siguruarit që kanë një historik të pastër të shkaktimit të dëmeve pasi përfaqëson një sistem eficient tarifimi bazuar mbi profilin e riskut, duke individualizuar tarifat e primeve sipas klasave. Kjo nënkupton, nëse i siguruari përfshihet në një nga klasat e bonusit, primi do të zvogëlohet dhe e kundërta do të ndodhë nëse përfshihet në klasat e malusit, në varësi të historikut të dëmeve që i siguruari do të ketë 5 vitet e fundit.
Ligji dhe udhëzimi përkatës mendoj se e reformojnë tërësisht tregun përkatës, duke hapur një etapë të re në mënyrën e përcaktimit të çmimeve/primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike. Sistemi bonus-malus duhet të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit.
Cilat janë efektet për tregun dhe çfarë ndodh nëse ndonjë nga shoqëritë e sigurimit nuk e zbaton duke iu dhënë të njëjtin prim edhe shkaktarëve të dëmit me qëllim të rrisë të ardhurat dhe pjesët e tregut?
Duhet theksuar që në fillim që sistemi bonus-malus është i pazbatueshëm nëse nuk zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit të jo-jetës që e kanë pjesë të licencës këtë shërbim, pasi sikur vetëm një shoqëri të mos e zbatojë, të gjithë drejtuesit e mjeteve me historik të ngarkuar me dëme do drejtoheshin te kjo shoqëri që nuk zbaton klauzolat malus (rritjen e primit sipas historikut të dëmeve).
Për këtë arsye, projektligji i konsultuar edhe me Bankën Botërore parashikon masa mbikëqyrëse me revokimin e licencës për çdo shoqëri që nuk e zbaton sistemin bonus-malus si një masë drastike, por e domosdoshme, për të vendosur në funksionim një sistem modern dhe të ndershëm për çmimet e policave të detyrueshme të sigurimit motorik. Shoqëritë e sigurimit duhet të kenë parasysh që ky produkt paguhet nga të siguruarit me ligj të detyrueshëm dhe për këtë arsye kanë detyrime të qarta për të zbatuar sistemin bonus malus.
Dua t’ju siguroj se në pritje të miratimit të ndryshimeve ligjore që do ta bënin të padiskutueshëm zbatimin e sistemit bonus-malus, që në muajin mars të gjitha shoqëritë e sigurimit nëpërmjet Shoqatës së Siguruesve kanë informuar AMF mbi gatishmërinë për zbatimin e sistemit BM dhe mbledhjen e të dhënave për të ndërtuar seritë kohore mbi dëmet e shkaktuara nga çdo drejtues i mjeteve motorike.
Theksoj se tashmë AMF ka të sinkronizuar sistemet e saj për sigurimin motorik me gjendjen civile dhe drejtoritë e transportit për të rritur transparencën dhe sigurinë konsumatore.
Cilat janë hapat e mëtejshëm deri në zbatimin e sistemit të ri bonus-malus?
Udhëzimi u miratua nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në mbledhjen e datës 27 mars 2019 në pritje të ndryshimeve të plota ligjore, bazuar në bashkëpunimin efektiv me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, qeverinë dhe Komisionin për Ekonomi dhe Financa e më pas miratimin nga Kuvendi.
Qëllimi kryesor mbetet mbrojtja e konsuma torit dhe zbatimi i praktikave të njohura europiane edhe në tregun shqiptar të sigurimeve. Kjo, pasi është verifikuar që në vendet ku është në zbatim sistemi bonus-malus, ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidenteve, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e një çmimi më të drejtë në policat e sigurimit të përgjegjësive mbi palët e treta (TPL).
Në aspektin social, me aplikimin e sistemit bonus-malus, synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit, por edhe rritje e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve. Nga ana teknike, procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës.
Në bazë të udhëzimit të miratuar nga Bordi i Autoritetit, krijimi i historikut për vënien në zbatim të sistemit fillon më 1 prill 2019. Versioni final i udhëzimit të miratuar nga Bordi i AMF-së ka përfshirë mendimin e të gjitha palëve të interesuara. Përveç historikut të dëmeve, bonus-malus, faktorë të tjerë risku që ndikojnë direkt në çmimin e primit të sigurimit janë edhe territori ku qarkullon mjeti dhe fuqia motorike e tij. (Panorama)