Nga Krsto Lazarevic
Tingëllon aq miqësore sa e padëmshme. Kongresi Botëror për Familjen. Kush do të mendonte, se tek kjo ide fshihet një nga rrjetet më të mëdha të antifeministëve, atyre që urrejnë homoseksualët, e që janë rreptësisht kundër abortit.
Ata u takuan në një pallat llamburitës në qendër të Veronës për të demonstruar kundër arritjeve civilizuese të dekadave të fundit. Në dispozicion u ishte vendosur një sallë e qytetit të Veronës që në tetor u vetëquajt “qyteti i jetës”. Edhe kjo tingëlln e bukur, por konkretisht do të thotë, se u bëhet ferr jeta atyre grave që kanë vendosur të abotorojnë.
Familje! Cila familje?
Ajo që thuhet në këtë kongres ka të bëjë vërtet shumë pak me mbrojtjen e familjes. Evolucioni vihet në pikëpyetje – një pjesëmarrës madje thotë, se ka qenë e gabuar heqja e ndarjes racore në SHBA. Deputeti evangjelist ukrainas, Pavlu Ungurjan dëshiron një “zinxhir biblik europian nga Italia, Rumania, Kroacia, Hungaria deri në Ukrainë.” Ata gjithmonë theksojnë se familja është baza e shoqërisë. Po, kjo është e vërtetë! Por familja ka qenë edhe baza ku u mbështet fashizmi, varësisht nga ajo se cili botëkuptim për familjen mbështetej.
Kush mendon, se është mirë të ndiqet nga pas ati autoritar me bindje pa shtruar asnjë pyetje, ai bie pre më shpejt e bindjes ndaj një “fyhreri”-udhëheqësi që i merr vendimet duke anashkaluar popullin. Në botëkuptimin për familjen të gjithkujt reflektohen bindjet politike dhe prekshmëria ose jo nga ideologjitë totalitare.
Diskurs i gënjeshtërt
Duke përdorur këngën e njohur të “Scorpions” motoja e kongresit është “Ëind of change” – e këtë e dëshirojnë organizatorët. Një furtunë që të fshijë demokracitë liberale perëndimore.
Pjesëmarrësit nuk i vlerësojnë politikat që ndiqen në vende si Suedia, Norvegjia apo Koreja e Jugut, që kanë rezultate të mira në renditjen e barazisë gjinore, Jo, modelet e tyre janë Hungaria dhe Brazili, qeveritë e djathta të të cilave ndjekin një politikë regresive për familjen, dhe ku pakicat seksuale dhe etnike nuk kanë si të presin asgjë të mirë nga shteti. Në këtë takim folën edhe ministrja e familjes së Hungarisë dhe Brazilit.
Tek të ftuarit është edhe Radoš Pejović që ngre lart kriminelin e luftës, Ratko Mladić dhe vrasjen e 8000 myslimanëve e quan “çlirim të Sarajevës”. Pra, duhet të kenë një masë të pashembullt paturpësie këta njerëz që flasin pastaj se duan të mbrojnë “jetën e palindur.”
Sulm ndaj Europës liberale
Nuk është rastësi që kongrese të tilla zhvillohen para zgjedhjeve europiane e në një shtet të BE. Organizatorët duan të tregojnë me këtë, se jo vetëm vende të vogla të BE, si Hungaria janë të prekura nga zhvillimet autoritare të djathta – vendi ku ky kongres u zhvillua në vitin 2017 me ndihmën e Viktor Orbán e partisë Fidesz, – por e gjithë Europa është e prekur nga kjo.
Ata duan ta sulmojnë Europën liberale, pak para zgjedhjeve europiane, jo nga krahët, por drejt e në mesin e saj. Të mbështetur edhe nga një parti qeverisëse e vendit të katërt më të madh të BE. Sepse në kongresin e këtij rrjeti mori pjesë nga Lega edhe Matteo Salvini. Venecia- një rajon i qeverisur nga Lega ka bashkëfinancuar këtë takim: Rrjetin e krahut djathtist që hapur nxit urrejtjen kundër homoseksualëve dhe të drejtave bazë të grave. Dhe të kujtojmë se e gjithë kjo bashkëfinancohet nga taksapaguesit italianë.
Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë, dhe ka ardhur si fëmijë në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin, ku punon si gazetar dhe publicist për disa media gjermane.