Poliklinika e qytetit të Vlorës po transformohet me një investim prej 1 milion euro në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore moderne.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pa nga afër investimin që po kryhet në poliklinikën e specialiteteve, që i shërben rreth 150 mijë qytetarëve në vit.
“Ky është një model i transformimit të qendrave të specializuara që i shërben jo vetëm qytetarëve të Vlorës por edhe turistëve të shumtë. Garanton edhe shërbimin e urgjencës mjekësore, përveç 17 shërbimeve të specializuara që do të ofrojë”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe në spitalin e Vlorës, ku sapo janë punësuar 12 mjekë specialistë.
“Ne po investojmë jo vetëm në infrastrukturë, por investimi më i rëndësishëm është ai në burime njerëzore. 12 mjekët specialistë që tashmë kanë nisur punë në spitalin e Vlorës kanë plotësuar ato mungesa që kishim në këtë spital, për shërbime si kardiologjia, onkologjia, urgjenca, etj”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë inkurajoi mjekët e rini që i janë bashkuar spitalit të Vlorës, duke lajmëruar edhe rritjen e pagave.
“Që nga data 1 Prill ka nisur rritja e pagave me 7% për 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë”, tha Manastirliu.
Spitalit rajonal të Vlorës i janë shtuar edhe 3 autoambulanca moderne, duke përmirësuar jo vetëm kohën e pritjes por edhe cilësinë e shërbimit të urgjencës në territor. Investimet e fundit në spitalin e Vlorës kanë mundësuar shërbime të reja, si, ndërhyrjet me metoda të avancuara me aparaturën e laparoskopisë. 600 mijë euro është vlera e investimit në aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë në spitalin rajonal të Vlorës, duke siguruar shërbim të specializuar, afër vendbanimit.
g.kosovari