Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj lëshoi akuza të forta sot në Komisionin e Ligjeve për oficerët e policisë gjyqësore. Ai tha se kanë funksionuar si sekserë të prokurorëve. Sipas tij, kompetencat që u lihen oficerëve të policisë gjyqësore nuk janë të qarta.
“Oficerët e policisë gjyqësore në sanksionet pranë prokurorive, në shumicën e rasteve, shërbejnë si sekserë të prokurorëve. Nga mënyra se si është organizuar, kanë shërbyer për të zgjidhur çështje të raportit mes prokurorëve dhe klientëve, më shumë sesa për hetime profesionale” tha Fatmir Xhafaj.
Deklarata e Xhafajt, që ka qenë edhe udhëheqësi i reformës në drejtësi u bë gjatë diskutimit për rolin e oficerëve të policisë gjyqësore.
Socialisti Bashkim Fino nuk u bind nga relatorët për të votuar pro këtij projektligji, pasi për të është e panevojshme krijimi i dy strukturave. Kundër vendosjes së policisë gjyqësore u shpreh edhe kreu i kom të ligjeve.
Edhe eksperti i Euralius u shpreh se vendosja e policisë gjyqësorë si në Prokurori dhe në Polici është parë me skepticizëm edhe nga ndërkombëtarët.
“Ne kemi dhënë alternativa, po sikur seksionet e prokurorisë të shikohet mundësia të bëhen ndihmës prokurorë”, tha eksperti i Euralius.