Kryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar sot në Parlament se një grup politikanësh të korruptuar sëbashkë me persona me rekorde kriminale, po tentojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.
Balla gjatë fjalës së tij ka vlerësuar rolin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, që sipas tij ka mire administruar protestat e opozitës.
Madje Balla ka inkurajuar ministrinë e Brendshme që të ndërmarrë nismën që të ashpërsojë Kodin Penal për personat që godasin policët, deputetët dhe të gjithë zyrtarët për shkak të detyrës.
Kreu i Grupit të PS-së, tha më tej se maxhoranca pas vetingut në Drejtësi dhe në Polici, do çojë përpara dhe vetingun në politikë.
“Doja të përgëzoja sot ministrin Lleshaj për miradministrimin e situatave si këto të sotmet, ku një grup politikanësh të korruptuar, sëbashku me element kriminal po tentojnë të bllokojnë rrugën europane të Shqipërisë.
Keni mbështetjen tonë për të ashpërsuar Kodin Penal, për këto që ushtron dhunë për shkak të detyrës. Ne nuk u tërhoqëm nga vetingu në Drejtësi, nuk tërhiqemi nga vetingu në polici dhe do të bëjmë realitet vetingun në politikë. Do ishte mirë dhe opozita ta mbështeste sepse kur vjen puna për vetingun duhet të jemi të gjithë bashkë”, ka thënë Balla.
Më tej Balla e ka quajtur Bashën si huligan që godet forcat e rendit.
“Lulzim Basha është një huligan që merr përsipër të godasë punonjësit e policisë së shtetit apo personat e zgjedhur me votë, por të jeni të sigurte kushdo tenton të ushtrojë dhunë do marrin ndëshkimin e merituar”, tha ai.
g.kosovari