Parku i Liqenit është kthyer në hapësirën e preferuar nga kryeqytetasit edhe në këto ditë të bukura, të fillimit të pranverës.
I shndërruar tashmë në një nga shëtitoret më të preferuara të kryeqytetasve, mëngjeset dhe mbrëmjet pranverore po i tërheqin gjithnjë e më shumë qytetarët e të gjitha moshave drejt parkut.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga parku i rilindur i liqenit.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje nga Parku i rilindur i Liqenit të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Investimet në rrugë, ndërtimi i parqeve për fëmijë, shtimi i pemëve, sistemimi i koshave të mbeturinave, këndet sportive, lulishte dhe ndriçimi e bëjnë parkun, destinacion të preferuar për kryeqytet.
10 km shëtitore e re me pista pedalimi e vrapimi me rrjet të ri ndriçimi, 5 km rrugica të reja ndërlidhëse, palestër në natyrë, si dhe fusha multisportive janë kthyer në atraksione për qindra kryeqytetas. Parkut të Liqenit i është shtuar edhe Pagoda, një objekt origjinal që sjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri, duke shërbyer si vend relaksi dhe bisedash mes miqve.
Në park është rikonstruktuar edhe moli i Liqenit të Tiranës, ku veç shkallëve u bë ndërtimi i tij nga e para. Për të qenë i aksesueshëm edhe në orët e mbrëmjes, ai është pajisur me sistem ndriçimi, ndërsa nuk mungon as gjelbërimi. /a.meta